Kreu i Zjarrfikëses në Gramsh, Ilir Llapushi një ditë pas ngjarjes së rëndë në kanionin e Holtës ku u mbyt një 25-vjeçare nga Lushnja ka rrëfyer të gjithë kronologjinë e ngjarjes së rëndë dhe ka deklaruar se turistët nuk do të lejohen që të futen, pasi ka rrezik të madh.
“Ne u njoftuam nga policia që në kanion po mbyteshin disa turistë si pasojë e shirave që ranë në male duke rritur nivelin e ujit. Arritëm këtu me të gjitha forcat dhe u futëm menjëherë duke carë dallgët e lumit. Duke u kacavarur gjejmë tre fëmijë dhe një të rritur, i marrim në shpatulla dhe i nxjerrim jashtë rrezikut. Rifutemi përsëri, por kanioni bëhej më i vështirë. Kur erdhëm ne, sipas parashikimeve tona, vajza ishte mbytur, por ne shpresonim të ishte gjallë. Me shumë vështirësi çamë dallgët dhe arritëm në fund, aty ky rryma godet më shumë, pasi 25-vjeçarja dhe i vëllai kishin shkuar deri në fund të kanionit”, u shpreh Llapushi.
Sipas tij, aty kanë gjetur një 55-vjeçar që kishte hipur në një shkëmb. “Sot ka akoma turistë, kjo është diçka e frikshme. Do të lëmë një njeri këtu që të bëjë bllokimin e turistëve, pasi koha po acarohet. Në vijim do të bëjmë sensibilizimin e guidave për të marrë informacion për rrezikshmërinë që ka kanioni. Këtu duhet të vihet një person për të bllokuar turistët që të mos hyjnë në kanion në kohë të keqe. Falënderoj Zotin, pasi mund të kishte edhe më shumë viktima, pasi kur vjen Holta është e frikshme”, deklaroi ai.
25-vjeçarja Desantila Sollaku u mbyt pasditen e se dielës në kanionin e Holtës ndërsa 6 persona të tjerë u shpëtuan. Shkak për këtë ngjarje u bë vërshimi i fuqishëm i ujërave të lumit nga shirat. Në momentin e vërshimit të ujërave brenda në kanion ishin 105 persona të cilët kishin ardhur në disa grupe.