Majlind Habibi, 35-vjeçari i cili dyshohet se ka shtyrë qëllimisht duke e hedhur në kanalin e ujërave të zeza në zonen e Spitallës 33-vjeçarin Branko Shkoza, ka pranuar krimin dhe ka dhënë detaje për hetuesit e policisë edhe rreth motivit të ngjarjes.
Habibi është shprehur se Shkoza i ngacmonte gruan dhe i kishte kërkuar që mos ta bënte më, por sipas tij, 33-vjeçari e ka ofenduar. Ndër të tjera, Habibi deklaroi se nuk donte ta vriste Shkozën, por veproi në panik e sipër.
“Shkak për sherrin u be fakti se më kishte ngacmuar gruan. Unë nuk doja ta vrisja. Po në një moment e shtyva. Nuk kisha për qëllim që ta vrisja. I kërkova të mos më ngacmonte me bashkëshorten. Ai m’u përgjigj shumë keq, më ofendoi. Më tha “shiko bëj ndonje punë tjeter se i zgjidh vetë hallet gruaja jote”. Në këtë moment m’u errësuan sytë dhe nuk mendova gjatë. E shtyva dhe ai përfundoi në kanal. Unë më pas u largova në shtepi dhe e lashë aty.Nuk mendova se kishte vdekur, thashë me vete se do ngrihet prapë se në uje ra. Ditën e dytë mësova se nuk kishte shkuar në shtëpi . Shkova sërish ditën e dyte te vendi ku u përleshëm, e pashë që trupi i tij ishte spostuar disa metra nga vendi. Nuk kisha guxim të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Më kapi paniku. Kur e gjetën trupin e tij dhe e mori policia dhe ambulanca, thashë nuk kanë për ta kuptuar, por do mendojnë se ka rënë vetë se edhe pinte alkool. Jam penduar shumë, por nuk i kisha asnjë borxh. Më kishte rënë në qafe”,- mësohet të ketë deklaruar ndër të tjera para hetuesve të policisë, 35-vjeçari pas arrestimit./abcnews.al