Një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Genc Ruli, rrëfeu në emisionin “Real Story”, në News24, rrugëtimin e kësaj force politike dhe vitet e saj më të vështira, ato mes 1997-2005.
Mes të tjerash, Ruli foli dhe për marrëdhënien me liderin historik të PD, Sali Berisha, duke thënë se ai vendosi të mos e kandidojë më 1996.
Por, sipas tij, Berisha e kuptoi gabimin me largimin e tij dhe të Gramoz Pashkos, ndaj dhe vendosi t’i rikthejë sërish në vitin 2004, duke iu kërkuar takim dhe iu thënë të zgjidhnin zonën që donin për të kandiduar.
“PD shihej si shpresë nga populli, por 3 vite pasi kishte ardhur në pushtet mori goditje të thellë. Ama ishte mësimi i parë për të gjithë ne. Unë kam folur, Berisha më ka ndërprerë disa herë, se llafi im ishte që të mos heqim dorë nga Kushtetuta. Më kujtohet se ka ndërhyrë Eduart Selami dhe i ka thënë Berishës se “zotëria po flet, lëre të mbarojë”. Ishte një leksion i keq për demokracinë, që la pasojat e veta, dhe që u pasuan nga katastrofa e 97-ës, dyshimi që shqiptarët krijuan te demokracia. Pastaj ishte dhuna më e madhe, ajo e 2001. PD, me cdo lider tjetër në atë moment, do ishte tretur, shkrirë e ndarë. Aftësia dhe kokëfortësia e Berishës për të qëndruar e mbajti gjallë. Flas për periudhën 1997-2005, që është një periudhë e vështirë për PD, për gabimet e saj.
Berisha e kuptoi që nuk duhej të ishte më i pari, që të mund të vinte sërish në pushtet. Unë nga PD i përzënë jam më 1996. Edhe pse mua më votonin 55-56%, Berisha i ra shkurt dhe tha se nuk duhet të kandidoja më. Ky ishte largimi im zyrtar nga PD. Berisha e kuptoi që vetë, me mënyrën si e drejtonte, si e mbajti të bashkuar PD, maksimumi e mbante partinë gjallë, por nëse ai nuk rivjen në pushtet, është një dekor në skenë. Për këtë, ai iu rikthye, qoftë atyre që ishin përzënë nga PD, filloi të hapej ndaj shoqërisë civile. Faktikisht unë atëherë jam takuar me Berishën dhe bënim sikur s’e shihnim njëri-tjetrin.
U takuam nga mesi ose fundi i 2004-ës dhe më kërkoi se do të jetë i hapur me shoqërinë civile. Ishte një takim shumë i bukur. Berisha filloi aty të rifitonte, edhe për shkak të enteve komunikuese. Për më tepër, rikthimi i Gramozit, i Ben Imamit, u prit me shumë emocion nga PD. Shihja se sa me gëzim na prisnin, kur shkonim te selia e PD.
Gramos Pashko gati e provokoi vetë largimin nga PD. Mbajti një fjalim pa sens, duke qarë për së gjalli Azem Hajdarin. Pati një fryrje të madhe emocionale, kulturore, me politikën shqiptare, dhe nuk ishte më ai Gramoz. Berisha ka qenë në takim me mua dhe Gramozin, kur na bëri ofertën. Na tha se “kemi një afat të limituar, zgjidhni zonat”. Ndoshta gabova pak dhe unë, se zgjodha Gjirokastrën, ku mundësitë për të fituar ishin 30%. Unë PD-së asnjëherë s’i kam marrë, më shumë se c’i kam dhënë. Në politikë nuk mbijeton se të duan, por nëse ju duhesh. Unë kisha një dilemë të madhe t’i rikthehesha apo jo politikës dhe pranoja një betejë të madhe, si Gjirokastra. Gramozi zgjodhi Kolonjën, që ishte dhe më e vështirë se Gjirokastra. Berisha i tha “Gramoz, zgjidh zonën ku do të shkosh”. Ai bëri fushatën më të bukur, por nuk fitoi, ndërsa unë fitova bastionin kryesor të PS, vendin e Enver Hoxhës”, deklaroi ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli.