Mediu propozon Komitet për Integrimin: Arta Dade e Besnik Mustafaj kryetarë

AKTUALITET


Aleati i Bashës, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka propozuar ngritjen e një Komiteti Kombëtar për Integrimin që do të përbëhet nga ish ministra dhe ish zyrtarë të lartë ndërsa do të drejtohet nga Besnik Mustafaj ish ministër i jashtëm në qeverinë Berisha dhe nga Arta Dade, ish kryetare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, aktualisht një kritike e fortë e Ramës.

Sipas Mediut vetoja e vendosur nga Macron rrezikon bllokimin e procesit të zgjerimit  të BE, ndaj është e rëndësishme që vendi ynë të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të mos fshihen si struci, por fillimisht të bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike në vend dhe të kthejnë dialogun pozitë-opozitë.

“Përballë kësaj situate është e lehtë të qahemi për Europën dhe Francën, të shkojmë deri në absurditet të sulmeve karshi tyre. Kjo është më shumë se infantile, është shkatërruese.

Ne duhet të kuptojmë përgjegjësitë tona dhe të mos fshihemi si struci. Grupe anti-Europiane po shfaqen hapur në Shqipëri, qorrollisje për marrëdhënie me preferencë fetare, aziatike e përqasje e afrim me regjime autoritariste, janë shfaqur hapur apo në mënyrë të kamufluar.

E djathta shqiptare si e djathtë kombëtare, duhet të rikthejë orientimin dhe besimin Europian në vend.

Për një vend si Shqipëria, konsensusi real politik dhe shoqëror për reforma dhe shtet ligjor, që i shërbejnë integrimit, është elementi i parë i suksesit, prandaj në emër të Partisë Republikane propozoj:

Ndërtimin e një Komiteti Kombëtar për integrimin Europian. Ky komitet të bashkëkryesohet nga dy ish Ministra të Jashtëm, konkretisht z. Besnik Mustafaj dhe Zonja Arta Dade. Në përbërje të tij të jenë ish kryeministra, ish ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit.

Mandatimi me ligj i këtij Komiteti, për të kontrolluar dhe zbatuar detyrimet e çdo institucioni, që rrjedhin nga detyrimet Europiane dhe në veçanti, zbatimin e 9 kushteve të vendosur nga Bundenstagu Gjerman, me një plan konkret veprimi.

Përfundimi me konsensus sa më parë i Reformës Zgjedhore, duke draftuar Kodin në bashkëpunim pozitë-opozitë, dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë.

Është provuar se miratimi me konsensus i Reformës Zgjedhore, ka rezultuar me votime më të mira, të pakontestuara.

Marrëveshje për ndryshim të Kushtetutës dhe vendosje të një dispozite tranzitore deri në anëtarësimin në BE, për krijimin e një qeverie tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, sipas modelit Maqedonas, jo si ndëshkim politik, por si një marrëveshje positive, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe për të kthyer qytetarët në kutitë e votimit, për të ushtruar të lirë të drejtën e tyre të votës.

Ndërtimin e një grupi pune me ekspertët më të mirë, për të kthyer vendin në binarët kushtetues, të shtetit të së drejtës, bazuar në parimin Check and Balance të një Republike Parlamentare”, ka propozuar Mediu në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PR-së.

Ai gjithashtu ka kërkuar kufizimin e mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve si dhe zgjedhjen e Presidentit drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo nga pazaret politike, si dhe domosdoshmërinë e zgjerimit të kompetencave të tij kushtetuese në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. 



Skip to toolbar