Merkel mbush 65 vjeç, por gjermanët mbajnë frymën për shëndetin e saj

AKTUALITET


Angela Merkel feston ditëlindjen e 65-të të mërkurën (sot), dhe megjithë spekulimet për shëndetin e saj ajo synon të qëndrojë në krye të qeverisë gjermane, deri në fund të mandatit të saj në  vitin 2021.

Një seri incidentesh që përfshijnë dridhjen e trupit të saj gjatë aktiviteteve zyrtare kanë bërë që jo vetëm gjermanet por edhe mediat ndërkombëtare të flasin për shëndetin e kancelares Merkel.

Titujt e gazetave kanë pyetur nëse ajo është e aftë për të qëndruar apo jo në detyrë. Ekspertët mjekësorë të gatshëm për të dhënë një diagnozë nga larg kanë mbushur ekranet televizive të talk-shoë.

Dridhjet u panë për herë të parë në qershor, kur Kancelarja gjermane priti në Berlin presidentin e ri të Ukrainës.

Ndërsa të dy politikanët po nderonin himnin, Merkel nis të dridhej në mënyrë të pakontrolluar. Pas pak minutash ajo e mori veten. Më vonë tha se dridhja ishte për shkak të dehidratimit.

Por situata u përsërit 9 ditë më vonë gjatë një tjetër aktiviteti publik ku merrte pjesë me presidentin gjerman.

Javën e kaluar ajo nisi sërish të dridhej duke shënuar rastin e 3 brenda një kohë mjaft të shkurtër.

Por zonja Merkel ka përsëritur shpeshherë se ajo ndihet shumë mirë dhe se është shumë  e aftë të bëjë punën e saj dhe se s’ka asgjë për t’u shqetësuar.

Po kundërshtarët politikë e kanë parë këtë si dobësi.

Shefi i spiunazhit Hans-Georg Maassen, një kritik i Merkelit shkroi: “Shëndeti i kreut të qeverisë nuk është çështje private. Kemi të drejtë të dimë nëse kreu i qeverisë është në gjendje të kryejë plotësisht detyrat e tyre”.

Madje për këtë janë bërë edhe sondazhe. Shumica e gjermanëve (59%) mendojnë se Merkel nuk ka pse të japë informacion rreth shëndetit të saj, ndërsa 34% e tyre mendojnë se diagnoza e saj duhet të bëhet publike.

Por pavarësisht këtyre debateve, Merkel vazhdon me punën e saj të përditshme dhe deri tani nuk ka fshirë asnjë takim.



Skip to toolbar