Ilir Meta nuk është kujtuar për Skënderbeun në ndonjë 17 janar tjetër. Është kujtuar më 2020, më 2 mars ditën e Beslidhjes së Lezhës, pasi donte të mblidhte popullin e 2 marsit, dhe sot. Sot kishte të njëjtin hall.
Presidenti Erdogan, nën shembullin e çdo mysafiri të rëndësishëm që vjen në Shqipëri kohët e fundit, ka shmangur takimin me të, dhe Ilir Meta është bërë befas “patriot” dhe ka kujtuar Skënderbeun.
Bashkë me të u bashkua dhe një listë njerëzish, kryesisht të “Foltores”, që mezi kanë pritur 554 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, për të na treguar se “tradhtari” Edi Rama në atë ditë ka pritur Erdoganin.
Nuk po flas për injorancën historike të lidhjes së Turqisë moderne me Perandorinë Osmane dhe as shpikjet simbolike të “kalorësit të Perëndimit në Shqipëri”, pasi këtu situata bëhet dhe tragji-komike.
Sali Berisha dhe Ilir Meta, që u bënë sot promotorë të “kujtimit” të Skënderbut, si mbrojtës të Perëndimit në Shqipëri, janë në të vërtetë armiqtë e Perëndimit në Shqipëri.
Ata janë në luftë me kauzën e Skënderbeut dhe me ëndrrën që Shqipëria të ishte pjesë e Perëndimit. Nëse i çojmë ata në vitin 1468, do të shikojmë se ata janë në anën e hordhive otomane, dhe jo mbrojtësve të Perëndimit në këtë vend.
Prej kohësh ata po përpiqen të rrethojnë Shqipërinë si otomanët dikur, për “t’u dorëzuar” si vend pro-perëndimor dhe për t’u kthyer në një vend “sovran” nën udhëheqjen e tyre kundër Perëndimit.
Ata po mobilizojnë hordhi anti-amerikane dhe njerëz trushpëlarë, që të të refuzojnë atë që e quajnë “diktaturë të Perëndimit” në Shqipëri.
Ata po refuzojnë publikisht refomën në drejtëis, një investim i Perëndimit në Shqipëri dhe gjithë strategjinë e ndëshkimit të korrupsionit nga Perëndimi në këtë vend. Ata janë dy kalorësit e dëshpëruar në luftë me Perëndimin në Shqipëri.
Sali Berisha është familjarisht në listën e zezë të Perëndimit në Shqipëri, kryesuar nga SHBA, dhe Ilir Meta është një i vdekur i pakallur në këtë listë, që praktikisht çdo zyrtar perëndimor që vjen, nuk e takon më. Merre me mend se takon as Erdogani, duke e bërë të ngjajë më pro-perëndimor se ata.