Lulzim Basha nuk nxitoi vetëm të rizgjidhej në krye të PD. Ai po nxiton të rizgjedhë dhe forumet drejtuese të PD, sidomos Këshillin Kombëtar dhe Kryesinë, para shtatorit.
Vendimi për të zhvilluar Kuvendin më 17 korrik, tregon se ai kërkon të jetë formalisht në rregull, në rast të një përplasje në shtator.
Edhe pse të gjithë e nënvleftësojnë përbërjen e organeve drejtuese të PD, duke nënkuptuar “se po të dojë Berisha, ai ikën”, në fakt gabojnë.
Lulzim Basha kështu e nisi më 2013. Futi në Këshill Kombëtar dhe Kryesi njerëz pa lidhje me PD, deri dhe punonjës kompanie të kunatit të vet. Të gjithë bënin humor, por më 2017, kur ai zboi gjithë ekipin drejtues të PD, u pa se nuk ishte aq për të qeshur.
Më 2021 ai po bën gati valën e dytë të spastrimeve. Bujar Nishani nuk mund të jetë më kryetar i Këshillit Kombëtar dhe natyrisht ata që e kritikuan për humbjen do të spastrohen, pasi sipas Bashës, “demokratët në shumicë kanë votuar që zgjedhjet janë vjedhur”.
Kështu që më 17 korrik, në emër të reformimit, do të shikoni një ekip të ri, që do t’u duhet kohë t’iu mësoni emrat, por jo dhe aq shumë kohë që t’i shikoni vlerën që ka.
Javën e dytë të shtatorit, kur Sali Berisha do të hyjë në Parlament dhe kur SHBA do të këmbëngulë që PD të ndahet prej tij, “kamikaze” e rinj nuk kanë shumë emocion për Berishën dhe mund të lajnë duart shpejt me të. Kjo do të jetë gjëja më e mirë që do të bëjnë, dhe Basha duket se është i qartë se vetëm përmes tyre do të mund ta realizojë këtë skenar.
Kur Berisha të gjendet para faktit të kryer, Basha do t’i tregojë se kështu votoi Këshilli dhe kur ai të japë kushtrimin kundër tij, në fakt brenda asaj partie nuk do të ketë më asnjë njeri që do të emocionohet.
Ai thjeshtë do të trajtohet “si karrikethyer”, siç ka trajtuar ai vetë gjithë ata që ka zbuar nga PD.
Një nga arsyet që mendohet pse Mehmet Shehu është vetëvrarë, nuk ka të bëjë me frikën nga Enver Hoxha, por turpin që do të ndjente kur të nesërmen në Byro Politike, të ngrihej Lenka Çuko apo Pali Miska e t’i thoshin: “Çohu ti shoku Mehmet, jep pak llogari para partisë”.
Berisha nuk e vret veten, por rezultati do të jetë njësoj. Basha po bën gati kamikazët e tij, të cilët do të vendosin për fatin e Berishës në shtator.