Sali Berisha dhe Tom Doshi kanë tanimë të dy të njëjtin status në listën e zezë të SHBA. Krahasuar me Doshin, që ka akuza për lidhje kriminale, Sali Berisha ka një epitaf të rëndë, që mban brenda krimin, mos ndëshkimin, minimin e demokracisë, korrupsionin dhe betejën kundër drejtësisë. Ai aktualisht është personaliteti më i rëndësishëm politik në botë i gjalle, që është në atë listë.
Në fillim të fushatës elektorale, Partia Demokratike këmbënguli përmes një arsyetimi ligjor nga Helga Vukaj, se një personi që është në listën e zezë të SHBA, nuk i takon mandati i deputetit.
Arsyetimi bazohej tek një nen i ligjit të dekriminalizimit, që e konsideronte mos lejimin për të shkuar në SHBA, si zbim nga ai vend, dhe fakte të tjera.
KQZ nuk u bind nga arsyetimi i PD, dhe e lejoi Tom Doshin të kandidonte. Ditën që zgjedhjet mbaruan, ai deklaroi dorëzimin e mandatit të deputetit.
Edhe pse ishte një deklaratë që dukej sikur kishte të bënte me zgjedhjet e 25 prillit, në fakt ajo ishte një deklaratë që kishte vlerë ligjore për mandatin e deputetit që Doshi kishte marrë më 2017.
Mandatin e zgjedhjeve të 25 prillit ai nuk e ka marrë akoma dhe nuk dimë nëse do ta marrë, apo nuk do ta pranojë.
Ashtu siç u duk më 26 prill herët në mëngjes, kur ai deklaroi dorëheqjen, nënkuptohej se ai po largohej përfundimisht nga Parlamenti.
Por tani situata ka ndryshuar..
Një njeri më i rëndësishëm se Tom Doshi në politikë dhe në ndikimin e tij në tranzicionin e 30 viteve në Shqipëri, Sali Berisha, është në atë listë me akuza shumë herë më të rënda, ku përfshihet minimi i demokracisë, shantazhi mbi sistemin e drejtësisë dhe përfitimet e paligjshme të tij dhe familjes së tij, nga pushteti.
Dhe çudia është jo vetëm që nuk deklaron tërheqjen nga mandati i deputetit, por premton dy herë më shumë luftë kundër SHBA, pas këtij vendimi.
Partia Demokratike, e cila duhet të merrte qëndrim publik ndaj Berishës, po hesht dhe po sillet si një fëmijë i frikësuar prej tij, duke i thënë të bëjë çfarë të dëshirojë ai.
Në këto kushte, Tom Doshi e ka më të lehtë ta rishikojë vendimin e tij për tërheqje nga mandati i deputetit, duke e interpretuar atë si tërheqje nga ish- mandati i deputetit dhe të shkojë në Parlament bashkë me Berishën.
Natyrisht që ky është një zhvillim regresiv dhe një karshillëk i hapur ndaj SHBA, por është një karshillëk i frymëzuar nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike, e cila gjithë ditën flet për “regjimin Rama-Doshi”, por 24 orë punon për të ardhmen e dyshes Berisha- Doshi.
