Mero Baze: Pse Berisha është braktisur nga deputetët e Veriut të Shqipërisë?

Më të fundit


Deputetët e Partisë Demokratike në veriun e Shqipërisë kanë braktisur në shumicë foltoren e Sali Berishës. Ai nuk ka mundur të marrë dot asnjë deputet në foltoren e  tij në Kukës, Shkodër dhe sot në Dibër, ashtu siç nuk pritet të marrë në Lezhë, pasi shumice e tyre janë shprehur publikisht.

Katër qarqet e veriut përfaqësojnë në fakt shumicën e deputetëve të Partisë Demokratike në grupin parlamentar, dhe kanë refuzuar foltoren, ndryshe nga Vlora, Gjirokastra, Fieri dhe Tirana, që kanë pasur nga një deputet.

Por si lexohet kjo braktisje e Berishës në veri të vendit?

Nga pikëpamja politike ky është një dështim dyfish i Berishës, pasi Veriu i Shqipërisë është zemra e Partisë Demokratike. Kur të refuzon pjesa më vitale e Partisë Demokratike, do të thotë që ke një problem me ata që e mbajnë në këmbë Partinë Demokratike, dhe jo me disa militantë të degraduar, që mendojnë se tani u ka ardhur radha të duken të rëndësishëm.

Duke injoruar një foltore e cila ka startuar ditën që Berisha u ndje i braktisur nga Lulzim Basha, pjesa më vitale e PD e ndjen se me Berishën nuk ka të ardhme as në zgjedhje, dhe as në raport me ndërkombëtarët, dhe praktikisht e kanë injoruara të.

Në ndryshim nga Veriu, Jugu i Shqipërisë në vetvete e ka braktisur PD dhe aty PD është thjesht për arsye gjeografike.  Duke qenë pakicë, ata ndjehen më të përfaqësuar nga Berisha, pasi janë një pakicë që nuk kanë njohur kurrë ndjesinë e fitores dhe i vetmi që u duket përfaqësues i tyre, është Berisha.

Por ata janë të parëndësishëm si brenda PD, ashtu dhe për komunitetin e tyre.

Duke u injoruar në Veri, Sali Berisha është duke u injoruar nga forca kryesore, nga motori që vë në lëvizje Partinë Demokratike dhe siguron mbijetesën e saj politike. Ata më shumë se kushdo tjetër e njohin Berishën dhe e kuptojnë më mirë se të tjerët hallin e tij, që nuk ka lidhje me hallin e tyre.

Ata janë keqpërdorur disa herë në jetën e tyre politike nga Sali Berisha, sa herë ai futet në krizë të pushtetit të tij personal. Rasti më ekstrem ka qenë viti 1997, kur pas prishjes me SHBA dhe përpjekjes për të mbajtur pushtetin me dhunë, ai mobilizoi Veriun kundër Jugut të Shqipërisë, në emër të karriges së vet.

Por Veriu nuk ka braktisur vetëm fizikisht Berishën, por dhe përpjekjen e Berishës për ndarje Jug- Veri. Foltorja e tij në fakt është kthyer në një megafon përçarës jo vetëm për PD, por dhe kombin shqiptar. Në çdo foltore ai flet për diskriminim të Veriut dhe për një nevojë të revanshit të Veriut mbi Jugun.

Të vetmit që e kanë kuptuar këtë sens përçarës janë pikërisht veriorët, ata që e kanë vuajtur sensin krahinorist të qeverisjes së Berishës, dhe po e lënë atë të flasë me vete, apo me të ngjashmit e tij, në salla të braktisur nga përfaqësues të PD dhe deputetë të PD.

Kjo natyrisht që e bën Berishën të ndjehet keq, kur mendon se si Basha e ka izoluar në Veri. Aq keq, sa është i tërbuar pse Basha paska thënë që ka një origjinë nga fisi Hoti. A thua se i ngeli vetëm një nga 12 fiset e Veriut pa marrë. Ai i ka humbur të 12. Madje dhe Mziun.



Skip to toolbar