Mero Baze: SHBA nxori jashtë ligjit “Foltoren” e Berishës më 11 dhjetor

Më të fundit


I dërguari special i SHBA për Ballkanin, Gabriel Eskobar,  zhbëri sot çdo përpjekje të Sali Berishës për të krijuar një lëvizje paralele me Partinë Demokratike më 11 dhjetor, duke mbështetur fort Partinë Demokratike dhe duke ftuar kryetarin e saj Lulzim Basha në Uashington, në një kohë të afërt.

Mesazhi publik i të dërguarit special të Uashingtonit, është praktikisht një nxjerrje jashtë ligji e “Foltores” së Sali Berishës më 11 dhjetor, duke e bërë të qartë se SHBA do të vazhdojnë të punojnë me Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, për aq kohë sa ai ka mandatin dhe përfaqësimin zyrtar të Partisë Demokratike.

Po t’i shtosh kësaj dhe mesazhet jopublike që ka dhënë në takimet e tij, është e qartë se çdo grupim politik rreth Sali Berishës, do të konsiderohet një lëvizje anti-amerikane në Shqipëri, e destinuar të etiketohet si e tillë dhe të ketë sanksione ndaj saj

Tani Sali Berisha ka tri mundësi për të shpëtuar nga thellimi i sanksioneve pas 11 dhjetorit.

Mundësia e parë është të shkojë që nesër në zyrat e PD dhe t’i kërkojë sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, t’i çertifikojë ata që janë realisht delegatë të PD për Kuvendin Kombëtar dhe t’i pajisë ata me ftesë për Kuvendin e 18 dhjetorit, që është dhe Kuvendi ligjor i PD.

Mundësia e dytë është të bëjë sikur bën një miting në stadiumin “Air Albania” dhe të thotë që beteja me Lulzim Bashën do të vazhdojë në të ardhmen. Kështu njerëzit do mërziten në ditët që vijnë, ngaqë nuk u shkarkua Lulzim Basha, dhe mund të rikthejë debatin real brenda PD-së, aty ku duhet të debatohet për Lulzim Bashën.

E treta, ka dhe një shans nga Zoti. Më 11 dhjetor do ketë shi gjithë ditën dhe mund të thotë në këto kushte “Foltorja” e stadiumit shtyhet për një datë tjetër.

Çdo skenar tjetër është edhe më i keq për të dhe për njerëzit rrotull tij. Përpjekja e Berishës për të “rithemeluar PD” si parti anti-amerikane, pas 30 vitesh, është në thelb një parti e re anti-amerikane. Si e tillë ajo ka nevojë për një emër të ri, statut të ri dhe natyrisht, kryetarin e vjetër. Këtë dhe mund ta bëjë, nuk e ndalon njeri. Thjesht nuk e përkrah njeri.

SHBA është e përcaktuar qartë sot, se do të vazhdojë të punojë me Lulzim Bashën dhe PD. Sali Berishës do t’i duhet të presë deri në moshën 81- vjeçare, kur i mbaron mandati Lulzim Bashës, që të provojë ta zëvendësojë. Fakti që mban zonjën Garo në krah mund ta bëjë të ndjehet i ri, por në fakt të gjithëve na duket edhe më plak, edhe më qesharak.



Skip to toolbar