Meta bën diversion brenda maxhorancës, kërkon të fitojë një “aleat”

AKTUALITET


Në përpjekje për të mbrojtur veten, presidenti ka bërë përpjekje të fitojë “aleatë” brenda maxhorancës që kërkon shkarkimin e tij. Kjo u vu re në përgjigjen  që i dha deputetit Bashkim Fino, të cilin e cilësoi si “të preferuarin” e tij.

Bashkim Fino e cilësoi Metën si një president që nuk ka qëndruar mbi palët por që ka mbajtur anën e opozitës në vendimin e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve. “Presidenti duhet të jetë mbi palët. Më keni krijuar përshtypjen që keni qenë palë me opozitën. Ju thoni se shtyva zgjedhjet se nuk donte një palë, pra nuk donte Lul Basha të hynte në zgjedhje. Po tani që të dyja palët nuk i duan zgjedhjet. Çfarë do bëhet me zgjedhjet e 13 tetorit, prapë do merrni dekret për t’i shtyrë?”, pyeti Fino-Metën në komision.

Ndërsa presidenti kujtoi një deklaratë të bërë më herët nga deputeti Fino i cili tha se presidenti e ka personale me të, kur kthen mbrapsht dekretet për ligje të caktuara, ku relator ishte pikërisht ai.

Por Meta tha se përkundrazi, Fino është ndër deputetët e tij të preferuar.

“Kam marrë vesh nga mediat që keni ndonjë perceptim sikur kam ndonjë problem personal me ju, në këtë drejtim dua të siguroj që nuk ekziston asnjë shqetësim i tillë, përkundrazi ju keni qenë i preferuar nga ana ime.

Më duhet të kujtoj si koleg i vjetër se edhe kur kam qenë palë, edhe kryetar kuvendi edhe kryetar i një partie që ka qenë në koalicion me ju, për çështjet madhore kam qëndruar mbi palët. Dhe shembulli më i qartë ka qenë reforma në drejtësi, që kurrë nuk do të ndodhte nëse nuk do të isha mbi palët.

Unë do të vazhdoj të jem mbi palët. Dhe për të gjithë ata që kanë paragjykim se mund t’i shërbej një pale”, tha Meta.

Ndërsa kuvendi kërkon shkarkimin e tij, duket se Meta e ka marrë shtruar mbrojtjen duke iu përgjigjur me qetësi deputetëve dhe duke u munduar të fitojë simpatinë e ndonjërit prej tyre./Realstory.al



Skip to toolbar