Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është përplasur me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, gjatë Samitit SEECP, që po zhvillohet në Sarajevë. Presidenti Meta është ankuar që Kosova nuk merr pjesë në këtë samit, duke i kërkuar Bosnjës dhe Hercegovinës që të njihet si shtet i pavarur.
“Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj”, deklaroi Meta
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila ka thënë se shteti ku është duke u mbajtur ky samit nuk e njeh shtetin e Kosovës, duke i thënë Metës “përmbahuni nga provokimi”. “Në këtë tryezë ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, dhe unë sugjeroj që të mos ketë përplasje për këtë çështje mes shteteve të tjera. Më vjen keq që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të Prishtinë nuk janë këtu. Kjo tregon se çfarë bashkëpunimi dëshiron Prishtina”, ka thënë Bërnabiç, shkruan “Blici” serb. Ajo po ashtu është shprehur se rajoni nuk mund të jetë i qëndrueshëm, deri sa nuk është Serbia anëtare e BE-së.
Në këtë samit, Shqipëria kishte paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë për shkak të injorimit ndaj Kosovës, por Ilir Meta ka dalë kundër vendimit për bojkot të diplomacisë shqiptare.