Kreu i shtetit, Ilir Meta ka dekoruar Forcat e Sigurisë dhe zjarrfikësit e Kosovës për solidaritetin e bërë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë, por nga ana tjetër deri më sot, ai nuk ka bërë asnjë vlerësim për zjarrfikësit shqiptarë, të cilët pavarësisht vështirësive teknike, ishin të parët që mbërritën në shtëpitë e rrënuara për t’u dhënë ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, duke vënë në rrezik jetën e tyre, ashtu si dhe forcat kosovare e shumë ekspertë të tjerë vullnetarë që iu gjenden Shqipërisë në ato momente emergjente.
Presidenti njoftoi vetë se të mërkurën dekoroi Njësitet e Kërkim-Shpëtimit nga Kosova, që i shërbyen Shqipërisë pas tërmetit tragjik, duke deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës u paraqit në vijën e parë të betejës “mes jetës dhe vdekjes” dhe se trupat ushtarake të Kosovës meritojnë emrin “shpëtimtarë”.
“Në këtë betejë të vërtetë tashmë me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme, vendet mike dhe partnerë na u gjendën pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari, ekipet tuaja ishin atje në radhë të parë njerëzisht, vëllazërisht e shqiptarisht duke rrezikuar jetën. Populli shqiptar përjetë mirënjohje forcave të sigurisë së Kosovës, ekipit mjekësor, policor, njësisë së komunikimit dhe çdo ekipi që ishte atje e tregoi gatishmëri të jashtëzakonshme”, tha Meta.
Dekoratat për forcat nga Kosova ishin të merituara, sepse nuk na lanë vetëm dhe meritojnë mirënjohje, pasi vëllezërit nuk e kanë lënë kurrë vetëm njëri tjetrin, megjithëse kreu i shtetit duhet të kishte në konsideratë edhe zjarrfikësit shqiptarë, të cilët ishin të parët që u përballën me pasojat tragjike të tërmetit dhe nuk mund të injorohen nga Presidenti i Republikës vetëm për arsyen e vetme se paguhen nga qeveria që urren Meta. Zjarrfikësit shqiptarë, ndërsa shikonin dekoratat për kosovarët, u vlerësuan me injorim dhe ata nuk e meritojnë.
Meta kuptohet që kërkon vlerësime se i duhen, por do kishte merituar respekt edhe nga kritikët nëse sot do kishte ndarë vlerësime në të dyja anët e kufirit. E para, te ana ku është akoma President i Republikës. Sot tregoi dhe një herë se nuk është. Dhe për këtë gjithashtu, s’ka nevojë të pritet shkarkimi i tij. Realstory.al