Kreu i shtetit ka zgjedhur median italiane “Il Giornale” për të sulmuar mazhorancën dhe për të mbrojtur veten, duke i cilësuar zgjedhjet e 30 qershorit, zgjedhje komuniste, ndërsa shton se nëse nuk shtynte zgjedhjet, dy fraksionet politike do të shkonin në përplasje, që në të vërtetë, kjo përplasje u përshkallëzua pas dekretit të tij.
Duke nxirë Shqipërinë me akuza për drogën, krimin e organizuar, ai vë në dyshim edhe institucionet zyrtare të vendit për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe flet me të njëjtën gjuhë siç ka folur opozita që nga muaji shkurt e deri pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Në intervistë, Meta shprehet se 30 Qershori ishte ilegjitim dhe se dekretin e tij për 13 Tetorin mund ta gjykojë vetëm Kushtetuesja, ndërsa ka komentuar edhe akuzat e tij nga George Soros, duke thënë se “Ne duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë”
“Il Giornale” vë në duke që në krye të shkrimit se Meta po përjeton momentin më të ndërlikuar që kur u zgjodh president në vitin 2017, ndërsa thekson se përplasja institucionale me kryeministrin Edi Rama arriti kulmin në qershor kur kreu i shtetit vendosi të anulojë zgjedhjet.
Presidenti, pas vendimit të tij për të shtyrë zgjedhjet lokale në 30 qershor dhe zgjedhjen e qeverisë për t’i realizuar ato, si kanë ndryshuar marrëdhëniet midis jush dhe kryeministrit Edi Rama?
Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore, sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy fraksioneve politike do të kishte qenë e pashmangshme. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të sfidojë Dekretin e Presidentit, që për të ardhur keq veprimtaria e saj është pezulluar nga vullneti i Ramës. Për të kuptuar parregullsinë, mjafton të themi se në 61 bashki në të cilat ata votuan, fituan socialistët, sepse nuk kishin asnjë kundërshtar, si gjatë regjimit komunist.
E thoni seriozisht?
Unë do t’ju them më shumë: jo vetëm partia e kryeministrit ka zgjedhur të gjithë kryetarët e bashkive, por edhe anëtarët e këshillave bashkiakë, përfshirë qytetin e Tiranës. Pjesëmarrja, e njoftuar pas më shumë se njëzet ditëve, ishte zyrtarisht 23%, por në të vërtetë edhe më e ulët.
Disa javë para zgjedhjeve të qershorit, gazeta gjermane “Bild” publikoi një seri përgjimesh për politikanët e Partisë Socialiste, anëtarët e policisë dhe krimin e organizuar, nga e cila del një sistem shqetësues i korrupsionit, si mendoni për këtë çështje?
Ishte e papranueshme që vitet e fundit nuk janë bërë hetime të thella për këto ngjarje, është një nga rastet më të këqija të funksionimit të shtetit të së drejtës, zgjedhjet e rregullta janë zgjidhja për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ne gjithashtu kemi nevojë për masa të forta për të zhdukur problemin e drogës, pasi fitimet që rrjedhin nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri në krahasim me nivelin e ekonomisë sonë dhe në krahasim me kombet më të mëdha si Italia apo Gjermania.
Në disa nga deklaratat tuaja denonconi ndikimin e Soros në Shqipëri, cila është marrëdhënia midis Shoqërisë së Hapur dhe Reformës në Drejtësi?
Ne jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të kujdesshëm në një epokë globalizimi si ajo e tanishme për të ruajtur vlerat që janë bazë e Shqipërisë, duke filluar nga identiteti ynë. Ne duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Unë nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë.
Si po fillon projekti për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
Unë besoj se hyrja jonë në BE është e nevojshme edhe nëse përparimi nuk është shumë inkurajues deri më tani. Ajo që më shqetëson më shumë është emigrimi i fortë i të rinjve, është e nevojshme të krijohen perspektiva të ardhshme për të rinjtë. Çdo vit dhjetëra mijëra njerëz largohen nga vendi ynë dhe nëse ne vazhdojmë kështu do të hasim në shpopullim të ngjashëm me atë të viteve nëntëdhjetë pas rënies së komunizmit, nëse për kohën që ishte, është e kuptueshme, tani është e papranueshme sepse duhen përgjigje efektive nga politika.
Duke parë krizën e qeverisë në Itali, mendoni se PD dhe 5 Yjet do të formojnë një ekzekutiv të ri?
Unë e ndjek me vëmendje evolucionin e krizës së qeverisë sepse stabiliteti i Italisë është i rëndësishëm për Shqipërinë, kombet tona kanë lidhje kulturore, shoqërore dhe ekonomike. Shumica e eksporteve shqiptare është drejt Italisë dhe gati gjysmë milionë shqiptarë jetojnë në vendin tuaj.