Pasi shpalli “non gratta”, ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, presidenti Meta është shfaqur hapur kundër ndërkombëtarëve dhe të gjithë ambasadorëve të huaj në Tiranë, madje duke sulmuar edhe ambasadën amerikane. Presidenca njofton se Meta ka pasur një telefonatë të rëndësishme mbrëmjen e së mërkurës por nuk tregon se me cilin zyrtarë të lartë është zhvilluar kjo bisedë, por tregon se presidenti i ka dhënë përgjigjen e merituar të gjithë atyre që mbrojnë Dvoranin. Reagimi i presidencës erdhi të enjten fill pas deklaratës së Ambasadës Amerikane e cila sugjeroi politikanët shqiptarë t’i drejtohen Venecias për të marrë një opinion për ngërçin e krijuar për Gjykatën Kushtetuese, por presidenti thotë se “rruga e Elbasanit të çon në Xibrakë” duke akuzuar Ambasadën për bashkëpunim me Ramën.
Ai gjithashtu sulmon edhe ambasadorin italian, Cutillo, i cili pak ditë më herët ishte i pari që hodhi idenë që palët t’i drejtohen Venecias dhe thotë se “ai është një ambasador në ikje, turp i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë që ka punuar me porosi të Ramës”.
“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit.
Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës.
Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik.
Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë!
Rruga e Kavajës të çon në Kavajë!
Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!”, njofton presidenca.
Reagimi i Metës vjen pasi ndërkombëtarët i kërkojnë atij të mbështesë reformën në drejtësi. Ambasada Amerikane pak më herët theksoi edhe një herë se për reformën në Drejtësi del garant SHBA dhe mbështet ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese dhe për të zhbllokuar sa më parë ngërçin e krijuar SHBA sugjeroi që politikanët të marrin një opinion nga Komisioni i Venecias, për të cilën duket se Meta nuk është dakord.