Meta i jep “leje” Kim të “rreshtohet” me Gjonajn

AKTUALITET


Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Tiranë, Presidenti bullgar, Rumen Radev, dhe ai shqiptar, Ilir Meta, u pyetën për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, që është kthyer në një prej tema kryesore të përplasjes së politikës në vend. Kreu i Shtetit Bullgar anashkaloi përgjigjen e drejtpërdrejtë, se çfarë do bënte ai nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të funksiononte për 3 vite rresht, siç ndodh në Shqipëri, duke u shprehur se të gjitha partitë politike shqiptare duhet të bëjnë gjithçka për procesin e integrimit.


Ndërsa, Presidenti Meta iu rikthye edhe njëherë akuzave ndaj qeverisë, duke folur për grushtin e shtetit, ndërsa sulmoi edhe ndërkombëtarët, teksa tha se fatkeqësisht disa prej tyre kanë mbështetur kapjen e sistemit, referuar edhe takimit të djeshëm të ambsadores amerikane, Yuri Kim, me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Pyetja kishte të bënte me Gjykatën Kushtetuese, por edhe me skandalet për përpjekjet për rrëmbimin e Gjykatës Kushtetuese, përmes praktikave mafioze të falsifikimit të ushtruara nga ministrja e Drejtësisë dhe ekipi në krye të ministrisë, që janë akuzuar nga Presidenti për katër vepra penale. Ministrja vazhdon të jetë krenare dhe vazhdon t’i mbajë leksione prokurorisë, kur duhet të përgjigjet te prokuroria, nëse ky institucion është i paanshëm, por kjo është çështje e saj. Nuk ndaloj askënd të rreshtohet në krahun e grupit falsifikator, kushdo qoftë brenda dhe jashtë vendit. Unë si President i Republikës kam bërë çdo gjë, që Reforma në Drejtësi të zbatohet, ashtu siç është në Kushtetutën e Shqipërisë. Se kush e ka zbatuar këtë, bazuar në Kushtetutë, kush ka përkrahur direkt apo tinëzisht miratimin e ligjeve anti-kushtetuese, si në rastin e prokurorit, kush ka bllokuar procesin në KED, kjo është çështje tjetër, që ka dëmtuar dhe shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës. Unë jam krenar që kam qenë dhe mbetem gjithmonë në mbështetje dhe zbatim të Kushtetutës së popullit tim.

Edhe opozita nuk duhet t’iu ikë përgjegjësive, por duhet të marrë pjesë aktive dhe të japë format e saj në mbështetje të zbatimit të Kushtetutës. Unë kam respektin më të madh për partnerët ndërkombëtarë, për atë që kemi bërë në Kushtetutë, por më vjen keq për të gjithë ata që nuk kanë kontribuuar me integritet dhe përkushtim në respekt të Kushtetutës, por për fat të keq kanë mbështetur, diku hapur, diku tinëzisht, në kundërshtim me Kushtetutën, kapjen e këtij sistemi, që na ka lënë 3 vjet pa gjykata, duke penguar çeljen e negociatave. Nuk ka asnjë vend në Evropë, që të ketë qëndruar edhe një minutë të vetme pa Gjykatë Kushtetuese apo pa Gjykatë të Lartë.” – u shpreh Meta.



Skip to toolbar