Meta, ironi dhe pafuqi

Më të fundit


Presidenti Meta, i mbetur vetëm, sepse BE dhe SHBA kanë njohur 30 qershorin dhe pasi e braktisi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili nuk e njohu dekretin e 13 tetorit, duket i pafuqishëm për të ndryshuar datën, ndërsa ironizon që të dielën janë votime socialiste. Në një reagim të tij, Meta bën thirrje që mos të ketë konfrontime dhe mos të bien pre e provokimeve, sepse sipas tij, zgjedhjet janë me 13 tetor dhe me ironi thotë se për t’iu rikthyer qoftë dhe për 1 ditë asaj periudhë 45-vjeçare, shoqërojini me dajre e daulle si njëherë e një kohë.

“Nga dje, data kushtetuese e zgjedhjeve vendore është 13 tetor 2019. Situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese. Gjithsesi kryeministri po insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor 2019. Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi e mençuri, dhe të mos bini pre e provokimeve, sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak”, shprehet Meta.

Më pas, ai u drejtohet qytetarëve që të respektojnë dhe të mos konfrontohen me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste. “Konfrontimi dhe dhuna nuk i shërben Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane, dhe sidomos bashkëjetesës sonë qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë. Mos u nervozoni nga provokimet që do t’ju bëhen për t’ju çuar drejt dhunës. Ndoshta e teproj, por për t’i shijuar tamam votimet socialiste dhe për t’ju rikthyer qoftë dhe për 1 ditë asaj periudhë 45-vjeçare, shoqërojini me dajre e daulle si njëherë e një kohë. Ata vetë do votojnë, vetë do t’i numërojnë. Të gjithë shqiptarët së bashku, në mënyrë demokratike, të fshehtë, të lirë dhe të ndershme do të zgjedhin vetëm në 13 tetor 2019”, deklaron Presidenti Meta.



Skip to toolbar