Kreu i shtetit, duke identifikuar veten me popullin, pavarësisht se ai nuk është zgjedhur nga populli, por me emërim nga Kuvendi, ka sulmuar sërish mazhorancën, duke e kërcënuar që të mos ndryshojë Kushtetutën, pasi ndryshe do të mësyjë Parlamentin.
Reagimi ka ardhur nga Presidenca pas paralajmërimeve nga ana e mazhorancës socialiste se do të ndryshojë ligji për betimin tek Presidenti. “Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend. Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!”, shprehet Presidenca në reagimin nëpërmjet zëdhënësit të saj, duke aluduar kështu edhe për legjitimitetin e të gjithë institucioneve shqiptare.
Më herët, Meta kërkoi referendum për të mos ndryshuar Kushtetutën, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mbledhin firmat, ndërkohë që në ndihmë pritet t’i vijë LSI, e cila ka shprehur dhe më herët se 50 mijë firmat i mbledh me anëtarët e saj.
