Meta kërkoi pezullim, PS e “injoron”: Kushtetuesja, e plotë në pranverë

AKTUALITET


Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha të shtunën në takimin me strukturat socialiste të Tiranës se në pranverë Gjykata Kushtetuese do të jetë e plotësuar me të gjithë anëtarët e saj dhe do të jetë funksionale për të dhënë vendime. Ndonëse presidenti Meta kërkoi pezullim të procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Balla tha se të hënën Kuvendi zgjedh 2 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndërsa të tretin e zgjedh në Janar. Sipas tij i gjithë procesi duhet të përfundojë në pranverë.

“Ne përmbyllim ditën e hënë fazën e parë të plotësimit të vakancave në gjykatën kushtetuese, Kuvendi do të zgjedhë dy anëtarët e Kushtetueses të hënën. Për të mundësuar që deri në fund të janarit Kuvendi të ketë zgjedhur edhe anëtarin e tretë të gjykatës Kushtetuese që i takon Kuvendit të Shqipërisë. Ky është hap i rëndësishëm për të mundësuar që brenda pranverës ajo të jetë funksionale”, tha Balla.

Balla gjithashtu tha se PS është e angazhuar në realizimin e reformës zgjedhore në plotësimin e rekomandimeve të OSBNE/ODIHR-it, por duke iu referuar hetimeve të prokurorisë për kryetarin e PD-së, Basha, kreu i deputetëve socialiste në parlament, tha se kuvendi do të ndryshojë ligjin për financimin e partive.

“Drejtësia e faktoi se partia demokratike ka falsifikuar dokumentet e financave. Ndaj dhe ne duhet të ndryshojmë ligjin për financimin e partive, të forcojmë kontrollin ndaj partive në mënyrë që të mos lejojmë financime të dyshimta”, tha Balla.

Socialistët do të zgjedhin më 16 nëntor delegatët për kongresin e Janarit. Balla tha se në këto zgjedhje do të aplikohen 4 mënyra votimi, duke sjellë si risi, votimin elektronik në një qendër në Tiranë për ta pilotuar dhe për të provuar nëse ky votim mund të shtrihet në mbarë vendin në zgjedhjet e përgjithshme.



Skip to toolbar