Ilir Meta ka dalë kundër Shqipërisë dhe Kosovës, në lidhje me pjesëmarrjen në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, në Sarajevë. Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar se kreu i shtetit shqiptar, ka vendosur të mos anulojë ftesën për të marrë pjesë në këtë samit. Të martën, Meta do të marrë pjesë edhe në takimin në nivel presidentësh në Jahorinë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë këshilltari i Metës për rajon dhe diasporë, ambasadori Flamur Gashi.
Ky është një vendim që bie ndesh me atë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili vendosi të mos shkonte në këtë samit, për të respektuar Kosovën, që gjithashtu anuloi pjesëmarrjen. Më herët, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se “Shqipëria, në shenjë solidariteti me Kosovën, e ka anuluar pjesëmarrjen në samit, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të organizatorit me Kosovën”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pavarësisht “gatishmërisë dhe vullnetit” për të marrë pjesë në samit, ai ka vendosur të mos shkojë në Sarajevë, sepse, siç ka thënë në një postim në Twitter, “trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së”. Kujtojmë se Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.