Presidenti Meta prej disa ditësh ndodhet me pushime në Prevallë dhe që andej është bërë shumë aktiv në rrjetet sociale. Nga Prevalla ai sulmon qeverinë përmes kthimit mbrapsht të ligjeve, sulmon Bashën se s’po ia del dot me drejtimin e opozitës, por poston edhe foto dhe video ku njëhere del duke ecur këmbëzbathur në mal, dhe njëherë shfaqet i veshur me bluzën e Celtik në majë të ujvarës së lartë.
Që andej Meta, i cili nuk dihet përse, është bërë tifoz i madh me skuadrën skoceze të Celtikut dhe poston një mesazh mbështetës për këtë skuadër.
“Nga kjo ujëvarë në lartësinë 1850 m në Prevallë, përshëndes tifozët e Celtic FC për barazimin mjaft premtues me CFR Cluj që afron kualifikimin për në turin e radhës në Champions League. Suksese në ndeshjen e kthimit në “Paradise”!”, shkruan Presidenti në faqet e tij zyrtare në rrjetet sociale.
Po ajo që bie në sy janë komentet e ndjekësve, njëri prej të cilëve i shkruan: Hidhu! Mësohet se komentuesi Rezi Resulaj është socialist. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Meta prej muajsh i ka shpallur luftë qeverisë, duke u bërë figura më e urryer mes socialistëve.
Por ka dhe komentues të tjerë që shkruajnë se nuk e gjejnë dot lidhjen mes presidencës dhe klubit të Celtikut në Skoci!
Një tjetër komentues shkruan “50 ekipe ka Shqipëria, presidenti me Celtikun e Skocisë!”, duke shprehur habinë.
“Më pëlqen që gjen kohën dhe shpalos problemet sociale të kombit. Gjithë natën s’kam vënë asnjë kokërr gjumë nga meraku për ndeshjen e CFR Ndaj Celtic FC”, shkruan një tjetër komentues gjithë ironi.