Pas dy vitesh nga zgjedhjet e 30 qershorit, Presidenti Ilir Meta duket se është dorëzuar sot e ka njohur sot procesin, ndërsa u shpreh se në bashkitë pa kryetar do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme vendore.
Në një konferencë për media, Presidenti Ilir Meta tha se ka nisur procedurat për t’i dhënë zgjidhje situatës me bashkitë në vend, që sipas tij, drejtohen nga kryetarë jo formalë.
Në fjalën e tij, Meta hodhi akuza të forta ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa u shpreh se kanë kryer shkelje të rënda profesionale dhe etike, që cenojnë veprimtarinë e gjyqtarit.
“Kërkova mënyrën e caktimit të relatorit të çështjes, diskutimet në Kolegj, deri në zhvillimin e seancës gjyqësore përfundimtare dhe shpalljen e vendimit. Informacioni mu vu në dispozicion nga Gjykata Kushtetuese më 6 dhjetor. Konstatuam se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, kryesisht barra bie mbi relatoren, ka të dhëna se kanë kryer disa shkelje të rënda profesionale dhe etike, që cenojnë veprimtarinë e gjyqtarit.
Dosja gjyqësore nuk përmban asnjë dokument për të dokumentuar mënyrën si u formuluan pyetjet e gjykatës për në Komisionin e Venecias. Relatorja ka shmangur dërgimin e pyetjeve, duke paraqitur vetëm tre pyetje të ngritura prej saj. Është krejtësisht e paqartë si ka ndodhur kjo dhe kjo cenon dukshëm parimin e transparencës, të palëve në gjykim, dhe që mund të kërkojë hetim të thelluar. Jemi duke analizuar në detaje këtë situatë dhe ditët në vijim do mbajmë një qëndrim zyrtar mbi këtë çështje.
Sot jemi këtu për të bërë me dije se kemi filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhjeje një çështje, që Gjykata Kushtetuese ju shmang, çështjes së zgjedhjeve vendore 2019. Prej kohësh kemi një situatë absurde, që disa bashki drejtohen pa kryetar, duke krijuar shteg për abuzim. Kjo situatë nuk mund të rri pafundësisht pa zgjidhje, pavarësisht se shumë aktorëve mund t’iu interesojë. Presidenti nuk ka çfarë të presë më, prandaj duke konstatuar se këto institucione, pra bashkitë pa kryetarë formalë, nuk funksionojnë siç duhet, jam sot këtu për t’iu bërë me dije se kam filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje situatës”, tha Meta.