Meta nxjerr teorinë e re: 13 tetori, t’i jepja kohë opozitës së re

POLITIKË


Kreu i shtetit përballë komisionit hetimor ka mbajtur disa qëndrime të çuditshme dhe ka deklaruar disa fakte, të cilat pretendon se i dinte vetëm ai dhe askush tjetër për anulimin e 30 qershorit, duke u justifikuar me faktin se “nuk i premtonte koha të njoftonte të tjerët”.

Madje, duke u justifikuar për veprimet e kryera dhe duke iu shmangur përgjigjeve të drejtpërdrejta të komisionit hetimor, Presidenti Ilir Meta solli në vëmendje në komisionin hetimor parlamentar të ngritur nga mazhoranca për shkarkimin e tij, mbledhjen që ai ka bërë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për shqetësim që mund të përsëritej një vjedhje e bankave në Rinas, dhe një grabitje ndodhi pak minuta pasi kreu i shtetit kishte zbritur nga avioni në aeroport. Këtë rast, Presidenti Meta e solli në vëmendje për të justifikuar mosdhënien e informacioneve që pretendon që i kishte, ndërsa u pyet nga Vasilika Hysi në komision, se çfarë masash kishte marrë kreu i shtetit si kreu i Këshillit të Sigurisë kombëtare, pasi kishte marrë informata se në mitingun e 8 qershorit të opozitës do të kishte incidente e gjakderdhje.

Vasilika Hysi e pyeti kreun e shtetit se në cilin nen të kushtetutës, jeni bazuar për zhdekretuar zgjedhjet, ndërsa ai pranoi se asnjë nen nuk ia jep këtë të drejtë. “Nuk ma jep asnjë nen në mënyrë të qartë”, tha Meta, ndërsa tentoi të kundërpërgjigjej me pyetjen se në cilin nen të kushtetutës i jepet e drejta për shfuqizimin e ligjeve, (një tjetër vegël e përdorur nga Meta për të sulmuar mazhorancën), apo qeverisë të shfuqizojë vendimet e saj. “Nëse do pranojmë se kam bërë shkelje, atëherë të gjithë presidentët e mëparshëm e kanë bërë, ndërkohë që nuk e kanë bërë, sepse kriza të tilla kanë sjellë gjakderdhje, jo vetëm përplasje, nga 2 prilli te 21 janari, nuk mund të priste presidenti të ndodhte një gjë e tillë prapë”, u justifikua kreu i shtetit.

Ndërsa më e çuditshme ishte përgjigjja për ngacmimin e bërë nga deputetja Hysi për deklaratën e tij, se ka caktuar datë që mundëson gjithëpërfshirjen, kur e pyeti se ku e bazon këtë bindje, cila është arsyeja që më 13 tetor garantohej kjo. Kreu i shtetit nxori në këtë rast një teori të re, që nuk bazohet askund, duke deklaruar se e bëri që edhe opozita e re të promovonte kandidatët e vet, pavarësisht se nuk ka asnjë garanci për pjesëmarrjen e opozitës. “Qëllimi im ka qenë të garantoja zgjedhje të standardeve, për pjesëmarrjen e opozitës unë nuk jap garanci por që të ishte koha e mjaftueshme për të reflektuar po, plus që opozita e re të gjente dhe promovonte kandidatët e vet”, tha Meta.



Skip to toolbar