Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, presidenti Meta sulmon kreun e KED-së, Ardian Dvorani sepse ai ka qenë një nga 5 gjyqtarët e dosjes së Metës dhe ndoshta, thotë Balla, ai mund të ketë kërkuar dënimin me burg të Metës.
“Kushtetuta e ka vendosur në majën e piramidës institucionale, por nuk ndodh që Presidenti të marrë nëpër gojë kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, edhe pse në rastin e Dvoranit, Meta duhet të jetë i fundit në vend për t’u marrë me të, sa kohë që Dvorani ka qenë një prej pesë gjyqtarëve të dosjes në ngarkim të Metës e që në atë dosje të paktën Dvorani ka pas mendim kundër me katër anëtarët e tjerë të gjykatës. E padrejtë për këdo, por më shumë për ne që kemi mandate përfaqësuese, apo presidenti që të përdorë institucionin e Presidentit për të atakuar një ish-gjyqtar që ka gjykuar një çështje në ngarkim të tij e që për rastin në fjalë mund të ketë kërkuar edhe burg”, tha Balla në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit për të diskutuar një projektrezolutë kundër aktit të fundit të presidentit Meta për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në një kohë që KED caktoi për të njëjtin post kandidaten Arta Vorpsi.
Ndërsa lidhur me ngërçin e krijuar për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese Balla propozoi që parlamenti i Shqipërisë të ndjekë shembullin e Ukrainës dhe anëtarët e Kushtetueses të mos betohen në presidencë por në seancën e parë të Gjykatës Kushtetuese.
“Në Ukrainë Parlamenti refuzoi që anëtarët e Gjykatës Kushtetueses të bënin betimin, për këtë arsye ata e bënë tek Gjykata Kushtetuese”, tha Balla, duke vënë në dukje se ndryshe nga Shqipëria, ku betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet bërë në Presidencë, në Ukrainë duhej bërë para Kuvendit.
Balla theksoi në parlament se presidenti Meta po bën gjithçka për të bllokuar reformën në drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese.
“Ky president do mbahet mend gjatë se u vetë tregua si kundërshtar i Kushtetutës. Ai po pengon plotësimin e vakancave në Gjykatë. Ekspertët që kanë punuar me ndryshimet kushtetuese, kanë parashikuar dhe mekanizma zhbllokues për tentaviva të tilla. Gjykatat Kushtetuese mbetet e një rëndësie të veçantë. Venecia këmbëngul se Gjykata kushtetuese është një çështje me rendësi të veçantë. Meta po bën ç’është e mundur për të frenuar gjykatën kushtetuese”, tha Balla.
Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare është parashikuar miratimi i një projekt-rezolute të hartuar nga socialistët përmes të cilës ata i bëjnë thirrje Presidentit që të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe të njohë Arta Vorpsin si anëtare e Kushtetueses dhe jo Marsida Xhaferllarin, e dekretuar prej tij.
“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji. Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, shkruhet në projekt-rezolutën që diskutohet të premten (sot) në Kuvend./reasltory.al