Meta tërhiqet nga 8 dhjetori: Nuk është momenti për këtë fokus

AKTUALITET


Kreu i shtetit, Ilir Meta ka deklaruar se ka vendosur ta shtyjë për një kohë të pacaktuar tubimin e thirrur prej tij në 8 dhjetor, në kushtet kur vendi po vuan pasojat tragjike të tërmetit të 26 nëntori. “Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak. Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar apo për të mbajtur një fokus tjetër” është përgjigjur Meta në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit.

Megjithatë, ai është shprehur se nuk heq dorë nga referendumi. “Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre”, deklaroi Presidenti Meta.



Skip to toolbar