Ilir Meta doli në konferencë për shtyp të hënën në mbrëmje, ku foli për tubimin e 8 dhjetorit, që sipas tij synon të rikthejë demokracinë direkte, referendumin qytetar për çështje të caktuara. Me tone të ulta, ndryshe nga disa ditë më parë kur përdori dhe nderimin e Duçes, Meta u bëri thirrje qytetarëve që në 8 dhjetor të dalin në shesh, pasi sipas tij kjo është e vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë. Sipas Presidentit, klasa aktuale politike është degraduar, duke asgjësuar përfaqësimin politik.
“Kam vendosur të zbres në shesh dhe nuk do të iki deri kur të kthejmë të drejtën për refernedum, që të detyrojmë parlamentin të zbatojë këtë detyrim. Kjo është e vetmja mënyrë që Shqipëria të jetë me shqiptarë, se Shqipëri pa shqiptarë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Klasa politike ka një degradim total dhe mban zero përgjegjësi, ka asgjësur çdo lloj përfaqësismi politik. Nuk ka votime, por vetëm komandime”, tha ndër të tjera Meta.
Sipas Presidentit, në 8 dhjetor do të fillojë një lëvizje e dytë, e cila nuk do të përfundojë derisa të vendoset e drejta për referendum. “Unë u bëra të qartë që me 8 dhjetor do të fillojnë një lëvizje e dytë dhe nuk do të përfundojë deri sa të ketë të drejtën për referendum, që kjo klasë politke ka përfunduar. Nuk do të thotë që do të jetë pambarim, do të vazhdojë një javë, por në javët në vijim do të jetë në takim me popullin”, tha Meta.
Por, lëvizja për referendum, në thelb fsheh një tjetër qëllim.
Duke përdorur Presidencën, Meta duket se po mendon për të ardhmen pas largimit nga zyra që mban aktualisht. Ai po mendon për rikthimin në politik si kryetar i një partie të re. Meta është shprehur se nuk do të kthehet më te krijesa e tij e dikurshme, LSI, që tashmë sipas sondazheve ka një rënie të madhe në elektorat. Por jo vetëm kaq, Monika Kryemadhi, drejtuesja aktuale e LSI ka deklaruar se nuk do t`ia “dhurojë” karrigen Ilir Metës. Gjithashtu, edhe vetë Meta nuk synon të rikthehet kryetar i një partie që bën pjesë tek ato parti “të degraduara”, që vetë ai e pohoi në konferencën për shtyp.
Po atëherë çfarë partie do të krijojë Meta?
Gjatë konferencës për shtyp, ku foli për nisjen e “lëvizjes për Referendum”, Meta njëkohësisht prezantoi edhe modelin e partisë së re. “Do i japim mundësi popullit të bëjë zgjidhjet dhe do të ndajë çështjet që do të hidhen në referendum me votë. Bëhet fjalë që Shqipëria të qeveriset nga vetë shqiptarët. Populli të shprehet nëse deputetët të zgjidhen nga populli apo partitë, presidenti të zgjidhet nga parlamenti apo të zgjidhet nga populli, që t’u thotë s`kam detyrim ndaj askujt”.
“Zgjidhje për situatën aktuale, një debat për Kushtetuesen, hajde të shkojmë në popull në referendum. Kushtetuta thotë se një ligj i veçantë mund të shtrohet në referendum. Ata thonë se kanë rezolutën dhe nuk njohin betimin te Presidenti për anëtarin e Kushtueses. Të shkojmë në popull, jeni me rezolutën e Kuvendit apo dekretin e Presidentit? Ata thonë se presidenti po pengon ndryshimet në drejtësi, referendum për heqjen e kompetencave të presidentit, propozojeni dhe hajde dalim në referendum”, tha Meta.
Në fakt gjithë ky pohim duket se do të jetë dhe manifesti i partisë së re, një partie radikale që kërkon referendum për gjithçka dhe për çdo gjë. Dhe 8 dhjetori duket se do të jetë dita e themelimit të “Partisë Radikale” nga Ilir Meta. Modeli është i njohur, vjen nga përtej Adriatikut. Partia e re që Meta po paralajmëron duket e ngjashme si “Partia Radikale” e drejtuar dikur nga politikani italian, Marco Pannella, që ndërmori dhjetëra nisma për refernduma, manifestime në rrugë e sheshe për çështje të caktuara në Itali.
Një parti konservatore dhe që në thelbin e saj kishte referendumet për çdo çështje sensitive në jetën publike italiane. Të njëjtën gjë kërkon të bëjë dhe Ilir Meta. Nëpërmjet referendumeve kërkon të krijojë një parti radikale, e cila praktikisht nuk njeh Gjykatën Kushtetuese. Kjo për arsye sepse për çështje të rëndësishme që janë në juridiksionin e shqyrtimit të kësaj gjykate, një parti radikale mund të kërkonte gjykim “popullor”.
Presidenti duket se e ka pasur në kokë këtë skenar shumë më herët se tani. Në fakt, Realstory.al e lajmëroi që në 9 korrik të këtij krijimin e një partie të re nga Ilir Meta, e ngjashme si AKP e Erdogan apo parti të tjera radikale dhe sovraniste. Ndaj, tashmë, Meta po vë në zbatim planin, të mbrojë karrigen deri në vitin 2022, siç ka pohuar, por njëkohësisht, pas 24 korrikut të atij viti, ai të ketë gati edhe krijesën e tij të re, Partinë Radikale./Realstory.al/