Mini-shengeni Ballkanik merr “bekimin” e Palmer

AKTUALITET


I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer në fjalën e mbajtur në forumin ekonomik të Davosit, ndërsa ka kritikuar vendimin e Këshillit të Europës për mos çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka theksuar se ky vendim do të rishikohet nga BE në samitin e Zagrebit. Ai e ka cilësuar zhgënjyes vendimin e KE-së por ka theksuar se si SHBA-të ashtu edhe BE do të mbështesin perspektivën europiane të rajonit.

“SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që ka qenë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja pse pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus dhe të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte kaq zhgënjyese.

Kjo nuk është fjala e fundit. Shpresojmë që Këshilli i Europës t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon”, është shprehur Palmer.

Ai gjithashtu ka vlerësuar nismën e marrë nga tre shtete të Ballkanit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut për të krijuar Mini Shengenin Ballkanik, si një mundësi që rajoni të zhvillohet dhe të bashkëpunojë mes vetes. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje edhe shteteve të tjera të rajonit që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Ndërkohë, ndërsa SHBA avancon drejt Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian konsiderohet deri në një farë niveli nga rajoni si duke u larguar, rajoni vetë po zhvillohet.

Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e minishengenit është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet. Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”, është shprehur Palmer  në këtë takim, duke i dhënë përgjigje zërave kundër kësaj nisme.



Skip to toolbar