Ministrat e BE mblidhen në Luksemburg, në fokus edhe situata në Ballkan

Më të fundit


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në takimin e tyre në Luksemburg, pritet që të hënën, mes tjerash, të flasin edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, pas tensioneve të fundit në disa vende të rajonit, si në Bosnje-Hercegovinë e Mal të Zi ashtu edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse nuk është formalisht në agjendën e takimit të Këshillit të Çështjeve të Jashtme, kjo temë pritet të diskutohet në fund të takimit.

Po ashtu, burimet e BE-së kanë paralajmëruar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të njoftojë ministrat për situatën në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për bisedat që ai i ka zhvilluar në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Borrell, javën e fundit, ka nxitur shumë reagime me prononcimin e tij rreth zhvillimeve në veri të Kosovës duke e quajtur të papranueshme çdo, siç është shprehur ai, “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar që shkakton tensione”.

Ky reagim është parë si kritikë e tij ndaj operacionit të Policisë së Kosovës, që sipas autoriteteve të Kosovës, ishte drejtuar kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Borrell ka biseduar në Uashington me përfaqësuesit amerikanë edhe për rritjen e bashkëpunimit rreth Ballkanit Perëndimor si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Burimet e BE-së kanë thënë se po bëjnë përpjekje për t’i kthyer Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut, në mënyrë që të ulen tensionet dhe të parandalohen përshkallëzimet e situatës siç ndodhi në veri të Mitrovicës ditë më parë.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë Goran Gërlliq Radman, ka thënë të hënën, në prag të nisjes së takimit se, situata në rajonin e Ballkanit është përkeqësuar dhe incidentet e fundit në Bosnje e Hercegovinë, në Mali të Zi dhe në kufirin mes Kosovës e Serbisë “janë ngjarje që nxisin shqetësimin tonë serioz”.

Ai ka ftuar BE-në që të merret seriozisht me këto çështje.

Temat kryesore të takimit mes Ministrave të Jashtëm të BE-së, janë situata në Lindjen e Mesme, por edhe problemi me refugjatët, të cilët përmes Bjellorusisë po kalojnë në disa shtete të BE-së.

Shumë ministra e shohin këtë problem si veprim të qëllimshëm të Alyaksandr Lukashenkas, duke thënë se ai po përdor qëllimisht refugjatët që duan të hyjnë n Bashkimit Evropian.

Ministrat do të diskutojnë për përgjigjen e BE-së ndaj këtyre provokimeve nga Bjellorusia./REL



Skip to toolbar