Ministri në largim i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, ka theksuar nevojën për kufizime ndaj personave të pavaksinuar kundër koronavirusit.
Ai i ka bërë këto deklarata më 2 dhjetor, para se të zhvillohen takime mes Qeverisë federale dhe drejtuesve të landeve, për të diskutuar rreth kufizimet eventuale.
“I rëndësishëm tani është një izolim për të pavaksinuarit”, ka thënë ai për transmetuesin gjerman, ZDF.
Ai ka thënë se një numër i madh i personave të pavaksinuar “përbëjnë sfidë për sistemin shëndetësor”.
“Nëse shihni departamentet për kujdes intensiv, nëse analizoni dinamikën e infeksioneve, ka të bëjë me numër të madh të personave të pavaksinuar”.
Përveç kësaj, ministri gjerman ka folur edhe për qasje vetëm të personave të vaksinuar dhe të shëruar nga koronavirusi “në pothuajse të gjitha fushat e jetës”.
Mes tjerash Spahn ka përmendur se dëshiron që të anulohen apo zvogëlohen organizimet e mëdha, si dhe që të mbyllen klubet e natës.
“Edhe nëse nuk do të kishte më infektime në Gjermani prej nesër, ne ende do të përballemi me mbi 6.000 pacientë në kujdesin intensiv në ditët në vijim”.
Në takimet që pritet të mbahen më vonë gjatë së enjtes, liderët gjermanë do të diskutojnë për një përgjigje të koordinuar ndaj pandemisë. /REL