Ministri i Mbrojtjes në Kosove/ Vëngu takon homologun Maqedonci dhe kryeministrin Kurti

KOSOVA


Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka deklaruar se në takimin me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vëngu, kanë diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake.

Ai ka theksuar se Kosova e Shqipëria po bashkëpunojnë në vazhdimësi për tu përballur me çdo rrezik e kërcënim.

“Vlerësuam që ka mundësi për thellim të bashkëpunimit në fushën e trajnimeve, edhe në zgjerimin e këtij bashkëpunimi në industrinë ushtarake që është një element i ri i cili po zhvillohet në Shqipëri. Këtu nga ndërtesa e Ministrisë së Mbrojtjes dua të them se ne me Republikën e Shqipërisë jemi, kemi qenë dhe bashkëpunojmë në vazhdimësi për tu përballur nga çdo rrezik dhe kërcënim”, u shpreh Maqedonci.

Ndërsa, Vëngu theksoi se në këtë takim janë dakorduar për një sërë përparësish që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve.

Ministri Vëngu u pyet edhe nëse do të shtojnë trupat në Kosovë, për ç’ka theksoi se kjo ka ndodhur në kuadër të aleancës dhe komandimit të përbashkët.

“Diskutuam edhe për të gjithë sigurinë në rajon. KFOR-i është një instrument i rëndësishëm për sigurinë kolektive, këtë gjë e nënvizova edhe sot. Pa dyshim që Shqipëria në KFOR ka një kontribut të posaçëm. Kemi shtuar trupat në kuadër të Aleancës. Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”, ka shtuar ai.



Skip to toolbar