Ish ministri i Drejtësisë në kohën kur LSI ishte në “tepsinë” e Ramës, Ylli Manjani, ka sulmuar ashpër prezencën e OSBE në Tiranë. Në një mesazh në facebook Manjani shkruan se nuk ka pikë logjike që prezenca e OSBE të vijojë të qëndrojë në Shqipëri, ndërsa diplomantët e saj i cilëson si parazitë që nuk garantojnë dot as zgjedhje të lira dhe as demokraci. Sipas Manjanit këta diplomatë, pensionistë në shtetet e tyre, vijnë për të shijuar ditët e fundit të karrierës në vendin tonë.
“Meqë ra fjala, a di njeri të shpjegojë se me çfarë logjike, për më tepër me çfarë mandati rri këtu Prezenca e OSBE?!
Përveç se për të parazituar dhe për të fyer Shqiptarët, anëtarë të Këshillit të Europës, të NATOS e të vetë OSBE, çfarë misioni tjetër kanë ata këtu?!
Si ka mundësi që vijon rutina e përhershme e këtyre parazitëve me imunitet diplomatik, që vetëm prishin punë?! Të gjithë pensionistët e ministrive të jashtme të shteteve anëtare shfaqen këtu për të shijuar ditët e fundit të karrierës.
As siguri, as demokraci e madje as zgjedhje të lira e të ndershme nuk garantojnë dot. Dalin madje edhe kundër ODIHR që është pjesë e vetë ODBE!
Kulmi!
Shqipëria monitorohet mjaftueshmërisht nga çdo institucion ndërkombëtar e qeveri e interesuar. Prezenca e OSBE nuk afron asgjë as në këtë drejtim. Asgjë fare, fare!
Bën vetëm një përmbledhje të thashethemeve të gazetave çdo sabah dhe e shpërndan poshtë e lart pa asnjë përgjegjësi.
Shqipëria ka detyrime të përcaktuara si në institucione ku është anëtare, ashtu edhe para institucioneve ku dëshiron të anëtarësohet. OSBE nuk ka më asnjë rol për të luajtur”, shkruan Manjani, i cili më tej i bën thirrje diplomatëve që të largohen nga Shqipëria.
“Prandaj është momenti ta falenderojmë këtë prezencë, për prezencën e saj dhe ta ftojmë të mbledhë leckat e të shohë për ndonjë shtet tjetër në nevojë për ta.
Shqipëria, megjithë problemet e thella demokratike, nuk ka nevojë për OSBE parazite.
Nuk mund të mos e përsëris revoltën time për atë fyerje të rëndë që bëri shefi pensionist i Prezencës së OSBE mbrëmë: Shame on You!”, shkruan Manjani, duke iu referuar një fotoje (nuk dihet se sa e vërtetë është), ku ambasadori Borschard shfaqej duke i nxjerrë protestuesve të Unazës së Re, gishtin e mesit në formë sharje.
Ambasadori i OSBE edhe herë të tjera ka qenë pjesë e sulmeve të eksponentëve të ndryshëm të opozitës.