Ministrja franceze: Nuk jemi për veto

POLITIKË


Ministrja franceze për çështjet evropiane në fjalën e saj tha se procesi i zgjerimit është zhgënjyes, i gjatë për vendet përkatëse dhe nuk krijon besim te vendet anëtare, sepse tretet në kohë.

“Nuk jam sot këtu për të vendosur veto, por në një frymë shkëmbimi mendimesh mbi dy parime. Së pari, hapja e negociatave kërkon përgatitje nga Bashkimi Europian dhe ne konsiderojmë që duhet të rishikojmë në thellësi procesin e negociatave të anëtarësimit”, tha Amélie de Montchalin, ministrja për çështjet evropiane.

Sipas saj, procesi i zgjerimit është zhgënjyes, i gjatë për vendet përkatëse dhe nuk krijon besim te vendet anëtare, sepse tretet në kohë. “Pra, së pari, ne duhet të diskutojmë mbi reformën e procesit të zgjerimit. Kapitujt që hapen e mbyllen si një telenovelë pa fund nuk i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve në rajon. Ne kemi parë fluks migracioni nga vendet që kanë përfunduar negociatat dhe janë bërë anëtare, si Rumania, Bullgaria apo Kroacia. Pra, është një çështje qasje mbi procesin. A është ky proces efikas? Përgjigjja është jo dhe ne kemi shumë vende që e mbështesin këtë qasje lidhur me riorganizimin e negociatave të anëtarësimit”, tha ministrja franceze. Po ashtu ajo vuri në dukje se BE duhet të sigurohet se reformat që janë kërkuar për t’u zbatuar si kushte për hapjen e negociatave të jenë reale. “Që të jenë votuar, por edhe zbatuar. Këtë do diskutojmë sot, Por, dua të theksoj, se Franca nuk i kundërvihet perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit”, u shpreh ajo.



Skip to toolbar