Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka drejtuar kritika ndaj kancelarit Olaf Scholz për bllokimin e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën, duke e akuzuar atë për rrezikimin e paqes në Evropë në përpjekje për të “fituar disa vota” para zgjedhjeve në vendin më të madh të Bashkimit Evropian.
Baerbock, partia e së cilës, të Gjelbërit, paraqitet si mbështetësi më i fortë i Kievit në fushatën për zgjedhjet federale të ardhshme, tha se është “vërtet e vështirë” që Scholzi refuzon të miratojë tre miliardë euro shtesë për blerjen e armëve.
Pa ia përmendur emrin Scholzit, Baerbock pohoi se nuk mund ta kuptonte faktin “se si disa politikanë mundohen të fitojnë disa vota në zgjedhjet e përgjithshme” dhe kjo është më e rëndësishme se përgjegjësia për sigurimin e paqes dhe lirisë në Evropë, shkruan derspiegel.
“Politika e përgjegjshme nuk do të thotë të shkojmë në drejtimin ku fryn era, dhe ndoshta as të ndryshojmë drejtim gjatë fushatës zgjedhore”, tha Baerbock.
Mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus është bërë një çështje në fushatën zgjedhore para votimit në Gjermani më 23 shkurt, ndërsa kombet evropiane po përpiqen të rrisin mbështetjen për Kievin për shkak të frikës se Donald Trump mund të ulë ndihmën amerikane pas inaugurimit si president i SHBA-ve.
Scholz u përpoq të ulë shqetësimet, duke thënë se nuk pret që SHBA-të nën udhëheqjen e Trumpit të “ndalin mbështetje për Ukrainën në mbrojtjen e saj”.
Ndryshe, Gjermania është dhuruesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas SHBA-ve.
Baerbock dhe ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Scholz (SPD), mbështesin fonde shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen nga Rusia, e cila sulmoi fqinjën e saj pothuajse tre vjet më parë.
Paratë shtesë, që do të ishin mbi 4 miliardë euro të parashikuara për vitin 2025 në buxhetin e përkohshëm, do të përdoren për blerje, përfshirë tre bateri të reja Iris-T kundërajrore, si dhe raketa për mbrojtje ajrore dhe predha artilerie.
Kancelari ka deklaruar se do të miratojë paratë vetëm nëse “ndalet frenimi i borxhit” që vendos kufizime të rrepta për huamarrjet shtetërore.
CDU ka sinjalizuar se është i gatshëm të mbështesë një paketë të re për Ukrainën, por jo nëse do të thotë borxhe të tjera.