Minxhozi: 21 janari, një turp kombëtar

Më të fundit


Nga Skënder Minxhozi

Pesëmbedhjetë vjet më parë ndodhte një ndër ato ngjarje që ndajnë dy botë. Botën normale të jetës së përditshme, sfidave e ëndrrave gjithfarësh, botën ku ajo që ndodh harrohet shpejt sepse nuk vlen të mbahet gjatë ndërmend, nga bota tjetër, ajo që i ngjan një tuneli makthi, ku garancitë dhe ligji bien dhe ku shteti vret banorët e tij, votuesit e tij, shtetasit e tij. Jetofshi kohëra interesante thotë një mallkim i vjetër aziatik. Pikërisht një “ngjarje interesante”, ajo e 21 janarit 2011 na ka bërë të jetojmë që nga ai moment në një qerthull ku gënjeshtra dhe hipokrizia, lojrat politike dhe lotët fals, vazhdojnë të hedhin hije mbi një vrasje kolektive në zemër të Shqipërisë, në muret e godinës që drejton vendin.

Pre 15 vitesh jetojmë një turp kombëtar. Turpin më të parë e kanë konsumuar ata për të cilët u protestua dhe u derdh gjak atë ditë fatale – socialistët. Fituan pushtetin në vitin 2013 duke premtuar transparencë dhe drejtësi për gjakun e 21 janarit dhe kanë një dekadë e gjysëm që derdhin tufa karafilash nëpër trotuare sa herë vjen kjo datë, a thua se janë një shoqatë për mbrojtjen e biomasës së Antarktidës e jo një maxhorancë me pushtet, vullnet politik dhe fuqi ekzekutive.

Përtej episodit moralisht të shëmtuar që rekrutuan në parti e qeverisje persona të lidhur me aparatin ushtarak e policor që vrau atë ditë, socialistët shqiptarë kanë luajtur me familjet e të vrarëve, elektoratin e tyre dhe mbarë opinionin publik një teatër të shëmtuar empatie burokratike një herë në vit. Lule e fjalime të ndjera dhe më pas në datën 22 janar e tutje vetëm heshtje dhe justifikimi klasik “krijuam drejtësinë e re se me të vjetrën nuk e hetonim dot 21 janarin”.

Dhe këtu vijmë tek turpi i dytë i lidhur me të parin. Ky është turpi i atyre që paguhen për të gjetur një krim. Kudo qoftë, madje edhe në një shtëpi plazhi 300 kilometra larg Tiranës. E pra drejtësia e re që aq shumë u evokua nga e majta në pushtet si platforma e duhur për të analizuar e zbardhur krimin shtetëror të 21 janarit, ka rezultuar të jetë një vesh i shurdhër më i keq se ai i politikës.

Nuk ka sjellje më hipokrite dhe cinikisht shpërfillëse sesa qëndrimi SPAK ndaj 21 janarit në gjashtë vitet e fundit. Kur familjarët e të vrarëve tentuan të depozitojnë prova të reja që hedhin dritë mbi atë datë fatale, prokuroria e posaçme bëri gjënë më të paimagjinueshme: e dërgoi çeshtjen tek drejtësia që e kishte mbajtur të ngrirë me vite atë dosje. SPAK, i krijuar pikërisht për të zgjidhur lëmshe të ngatërruara penale si ai i 21 janarit shpërfilli me këtë rast edhe vendimin e Gjykatës Evropiane i cili hedh dyshime të forta mbi mënyrën sesi është trajtuar e gjykuar kjo vrasje shtetërore.

U desh ndërhyrja me vendim të shkruar e Gjykatës së Lartë që SPAK të pranonte nisjen e hetimeve ndërkohë që dosjen ja la në dorë (sa cinike edhe kjo!) të njëjtin person i cili para Gjykatës së Lartë mbrojti zyrtarisht tezën që SPAK nuk duhet ta hetojë 21 janarin!

Dështimi për të zbardhur 21 janarin e bën me turp drejtësinë e re, e cila ka gjashtë vite që funksionon në kapacitet të plotë. Fakti që kjo drejtësi sillet sot me të njëjtat standarte si ajo e vjetra ndaj kësaj ngjarjeje tragjike vetëm sa e bën pis këmishën e bardhë të drejtësisë speciale, por nuk e lëviz 21 janarin nga podiumi qëndror i vëmendjes publike që ka në 15 vite.

Vrasja e 21 janarit, kur shteti qëlloi nga dritaret e zyrave të tij mbi protestuesit e paarmatosur dhe krejtësisht të parrezikshëm për integritetin e institucioneve, shënon një ngjarje që mbetet qëndrore në zhvillimet shqiptare. Fakti që kjo vrasje vijon të jetë një ndër temat më të nxehta të debatit politik e publik edhe pas një dekade e gjysëm, është garancia se nuk do të ketë politikan, prokuror apo gjykatës që do të munden ta relativizojnë e mpakin drejtësinë fundore për 21 janarin. Kjo datë është aty për të qëndruar gjatë si këmbana e alarmit jo vetëm për shtetin që vret, por tashmë edhe për drejtësinë që nuk bëzan.

Turpi i tretë, ai më i madhi, do të duhej të ishte për atë palë që atë ditë vrau. Vrau dhe fshiu kamerat por s’mundi të fshijë edhe gjakun e derdhur në bulevard. Ende sot pas 15 vitesh, PD nuk ka gjetur forcat të bëjë një verifikim të koshiencës së saj, të pozicionit të saj zyrtar në lidhje me 21 janarin, që të kryejë një akt simbolik faljeje ndaj atyre që qeveria e saj vrau dhe që të gjejë fuqi të brendshme për të bërë mea culpan më njerëzore në botë: atë ndaj marrjes së jetës. Çka është në fakt hapi i parë nga i cili do të duhej të niste shërimi i traumës së 21 janarit. Ditës kur shteti vrau dhe u turr të fshehë krimin.



Skip to toolbar