Për analistin Skënder Minxhozi, dilema e Partisë Demokratike është a mund të ketë PD, pa Berishën dhe sipas tij përgjigjja është një PO e madhe.
Duke komentuar lëvizjen e Salianjit në Real Story, Minxhozi u shpreh se ai duhet të ketë një lloj tjetër sfide. “Do e quaja meskine luftën me Bardhin e Nokën në Parti, por do e quaja dinjitoze një përballje drejtpërdrejtë me Berishën” tha ai.
“Kjo është dilema historike e Partisë Demokratike që lidhet me pyetjen tjetër, po kaq mëdyshëse, që a mund të ketë PD pa Berishën? Unë mendoj se në vitin 2026, të dyja këto pyetje pra, a mund të ketë vërtetë pa Sali Berishën, pa përmendur Berishën, dhe a mund të ketë PD pa Berishën? Që të dyja marrin përgjigje pohuese, do të thotë një po e madhe, sepse nuk ka më asnjë lloj kuptimi logjik, as në rrafshin historik, as në atë të përmbylljes së një karriere personale, siç është ajo e Berishës, që është shumë e gjatë. Por edhe një rrafsh tjetër shumë më të madh që unë do të mundohem t’ia shtjelloj, që është ai i fundit të kësaj elite të tranzicionit si e tërë, pra një problem që tejkalon kufijtë e partive. Dhe që ka të bëjë me të gjithë elitën politike që na ka drejtuar në këto dekada. Dhe përgjigja është një ‘po’ e madhe. Në këtë sens, unë mendoj që misioni i Salianjit bëhet shumë më i madh se ç’mund të jetë një sallë kinemaje apo dy apo tre takime shumë të mira. Pse e them këtë?Ka një metaforë në lëvizjen e Salianjit, e cila u prodhua që në javën një. Më vjen keq ta them se nuk është këtu personi. Alimehmeti mori një kthesë 180 gradë. Ky mendoj, është çmimi dhe është kostoja e daljes në pozita të hapura kundër establishmentit të partisë. Ky është çmimi i tregimit me gisht të asaj liste të madhe problemesh që po e lënë prej 13 vitesh Partinë Demokratike në opozitë, që nuk po e çojnë përballë asnjë horizonti apo perspektivë, që të mund të ketë një rikthim të shpejtë, megjithëse qeveria ndodhet e zhytur në hallet e rënda penale dhe të konsumit të imazhit që ka një qeverisje 13-vjeçare tashmë. Pra, është një mision, mendoj unë, që tejkalon këtë luftën e vogël dhe meskine të numrave.
Dhe në këtë sens, unë do të thoja që Salianji dashur pa dashur, merr një mision mbi vete, meqë është i vetmi. Unë mendoj që është dezavantazh, por është avantazh që është i vetmi, sepse është dhe më i dukshëm. Merr mbi vete një mision, i cili i tejkalon ato të rinovimit të një force të caktuar politike. Sepse realisht, sot vërtetë ato partitë e reja kanë marrë 200 mijë vota, po partitë e reja i shohim që dalin, mbrojnë kauza sipas këtyre të drejtave dhe është në të drejtën e tyre, t’i mbrojnë, por mbeten ashtu siç mbeten në dyert e qeverisë dhe natyrisht është logjika e tyre si parti të vogla duan të afirmohen dhe mund ta bëjnë atë lloj lufte të pabarabartë.
Salianji ka një lloj tjetër sfide, mendoj unë, dhe duhet të ketë një lloj tjetër ambicie. Që duke parë atë spektrin politik të sotëm, ku partia më e madhe është partia gri e mosvotuesve. Unë do të do ta quaja reduktive dhe meskine luftën me Gazmend Bardhin, Flamur Nokën, që gjithashtu janë figura të rëndësishme në Partinë Demokratike. Por do ta quaja dinjitoze një përballje publike, qoftë dhe në distancë, qoftë me deklarata, qoftë me ofertë dhe me ide me Sali Berishën drejtpërdrejt, sepse realisht këtu jemi tani,” u shpreh Minxhozi ndërsa shtoi se misioni i Salianjit nuk është partiak, por politik.
