Minxhozi: Partitë e vogla, synojnë “të hanë në trupin” e PD! Leka: Opozita e rrënuar

Më të fundit


Analisti Skënder Minxhori, komentoi fushatën elektorale, dhe zgjedhjet e 11 majit. Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh se qeveria po arrin të mbahet edhe këtë herë, dhe se kundërshtarin e ka shumë më të vogël. Ndërsa nënvizoi se partitë e vogla, sipas tij po synojnë të marrin nga PD.

“Unë them që ndodhemi në fundin e rrugës. Fundi i rrugës ka kohë që po shpërfaqet. Fundi i rrugës i kësaj elite politike…Fenomeni për shkaqe të kuptueshme nuk ka filluar në atë pjesë të shtëpisë që është në pushtet, por në atë pjesë së shtëpisë së vjetër që është në opozitë. Qeveria ende po mbahet edhe këtë radhë. Ka një pushtet të pakufishëm, kundërshtarin e ka shumë të vogël. Partitë të vogla që synojnë të hanë në trupin e PD. LSI që është avulluar komplet. Partitë e reja po gjejnë hapësira dhe vota të paktën për momentin”, tha Minxhozi.

Nga ana e tij analisti Martin Leka u shpreh se sondazhi tregon rrënimin e Partisë Demokratike.“Në datën 8 janar të 2022 aty fillon jo thjesht rrënimi i PD, por rrënimi i partisë demokratike të djathtës në Shqipërisë. Dhe kjo vjen si teoria e dominosë që shkatërron të gjithë sistemin. Por që mbahet në këmbë nga ato shtylla që i kanë mbetur. Dhe shtylla kryesore është Berisha, nga ato pak vota që do marrë. Dhe sondazhet që ne shohim e tregojnë situatën e mirë të PS. Por politikisht ka një pakënaqësi të theksuar me PD. Kemi rrënimin e PD, me terma të thjeshtë. Rrënimin e PL dhe kemi ato “sythat” e vegjël që janë partitë Shqipëria bëhet apo Mundësia”, tha ndër të tjera analisti Leka.

Sondazhi i parë i Abc News në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze italiane të sondimit, Angi Ricerche, nxjerrin Partinë Socialiste si fituese të zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas sondazhit të publikuar për herë të parë në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës, 3 javë para zgjedhjeve, Partia Socialiste merr 46.9% deri në 50.9% të votave kombëtare, kur në 2021, mori 48.7% të votave për të prodhuar 74 mandate.

Aleanca për Shqipërinë Madhështore drejtuar nga Partia Demokratike, si në skenarin më të mirë dhe më të keq, nuk arrin dot as rezultatin e vitit 2021.

Nëse 4 vite më parë, PD arriti të marrë 39.4% të votave, në 11 maj, sipas sondazhit, aleanca e Berishës mund të arrijë maksimalisht 37.1%, dhe minimalisht bie në 33.1%.



Skip to toolbar