Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese të martën për të kërkuar një armëpushim humanitar në Gazë, në një tregues të fuqishëm të mbështetjes globale për përfundimin e luftës Izrael-Hamas.
Votimi në organizatën botërore me 193 anëtarë ishte 153 pro armëpushimit, 10 kundër dhe 23 abstenime.Mes vendeve që kërkuar armëpushim është edhe Shqipëria.
Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, tetë vende të tjera e kundërshtuan rezolutën: Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Nauru, Papua Guinea e Re dhe Paraguaj.
Mbështetja për një rezolutë për armëpushim ishte më e lartë sesa ajo për një rezolutë më 27 tetor që bënte thirrje për një “armëpushim humanitar” ku votimi ishte 120-14 me 45 abstenime.
Pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit të premten ku kërkohej një armëpushim humanitar, vendet arabe dhe myslimane kërkuan një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh për të votuar për një rezolutë ku kërkohet e njëjta gjë.
Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë fuqi detyruese.
Megjithatë edhe mesazhet e asamblesë “janë shumë të rëndësishme” dhe pasqyrojnë opinionin botëror, tha të hënën zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Votimi i Asamblesë së Përgjithshme pasqyron izolimin në rritje të Shteteve të Bashkuara në refuzimin për t’iu bashkuar kërkesave për një armëpushim. SHBA dhe Izraeli thonë se një armëpushim i plotë do të ndihmonte vetëm Hamasin.
Megjithëse votën kundër armëpushimit nga Uashingtoni, Presidenti Joe Biden përdori të martën një gjuhë më të ashpër se zakonisht ndaj Izraelit duke thënë se po humbiste mbështetjen ndërkombëtare për shkak të “bombardimeve pa dallim” në Gazë.
Riyad Mansour, ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara tha para votimit se një votë nga Kombet e Bashkuara, qoftë nga Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme, duhet të shihet si detyruese.
“Dhe Izraeli duhet t’i përmbahet, dhe ata që kanë mbështetur Izraelin deri tani duhet ta shikojnë në këtë këndvështrim, dhe rrjedhimisht të veprojnë në përputhje me rrethanat,” tha zoti Mansour.
Në rezolutë shprehet “shqetësim i madh për situatën katastrofike humanitare në Rripin e Gazës dhe vuajtjet e popullatës civile palestineze” dhe thuhet se palestinezët dhe izraelitët duhet të mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Aty gjithashtu thuhet se të gjitha palët duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, “veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve” dhe bëhet thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve, si dhe sigurimin e qasjes humanitare”.
Por rezoluta nuk e përmend Hamasin, militantët e të cilit vranë rreth 1200 vetë dhe rrëmbyen rreth 240 të tjerë në sulmin e 7 tetorit për shkak të të cilit nisi lufta.
SHBA propozoi një amendament për të shtuar një paragraf se asambleja “refuzon dhe dënon pa mëdyshje sulmet e tmerrshme terroriste nga Hamasi”.
Një amendament i dytë i propozuar nga Austria propozonte që të shtohej një paragraf ku të thuhej se pengjet “po mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera” dhe duhet të lirohen “menjëherë”.
Të dyja amendamentet u hodhën poshtë./VOA