Kryeministri Edi Rama inauguroi sot sheshin e rikonstruktuar të Derviçanit, i cili do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, i pari kryeministër i Greqisë që vizitoi Dropullin.
Edi Rama tha se “busti i tij do të qëndrojë si shëmbëlltyra e të vërtetës historike, se ajo që i bashkon qysh në lindje të kohërave popujt e vendet tona është përjetësisht më e madhe, se sa çfarë do qoftë mund t’i ketë ndarë a ndajë përkohësisht, për arsyet e mosarsyes së politikës”.
Referenca e “mosarsyes së politikës” duket se i shkon faktit që kryeministri aktual i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, djali i Konstantinos Mitsotakis, që iu ngrit busti refuzoi të pranonte ftesën që iu bë në 22 Dhjetorin e vitit të kaluar nga Edi Rama për të qenë sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit.
Edi Rama u shpreh se do të donte që Kyriakos Mitsotakis të ishte sot i pranishëm. Fajin ia vuri politikës, referuar dosjes Beleri. “Do të dëshiroja që sot këtu do të ishte Kyriakos, por me siguri do të rikthehet në këtë shesh, që ua ka premtuar, ku që nga sot sheshi mban emrin e të atit. Më vjen mirë që bashkë me ju dhe me mua është këtu një deputet i “Demokracisë së Re”, Dimitris Avramopoulos.
Fatkeqësisht politika elektorale trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë mes fqinjëve si Shqipëri dhe Greqia, edhe pse janë gjëra që kalojnë, edhe pse më mirë do të ishin të mos kishin ndodhur. Jo vetëm kalojnë por e bëjnë më të fortë lidhjen mes dy popujve” tha ai.
Më pas fjalën e mori Dimitris Avramopoulos, zyrtar i njohur në Greqi, që në vitet ’90 shoqëronte Konstantinos Mitsotakis në Dropull dhe sot u rikthye.
E nisi fjalën me një përshëndetje në shqip “Mirë se u gjeta”. Çështja e arrestimit të Fredi Belerit ndau thellë palët duke i futur palët në një kurs përplasje.
Dimitris Avramopoulos ka qenë Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë.
Ai gjithashtu ka mbajtur postin si ministër disa herë. Si ministër i Mbrojtjes së Greqisë, i Jashtëm, i Turizmit dhe i Shëndetësisë etj.