Mjekët e QSUT realizojnë ndërhyrjen e rrallë kardiokirurgjikale, Rama: Rast suksesi

AKTUALITET


Mjekët e QSUT-së kanë realizuar për herë të parë në Shqipëri një ndërhyrje të rrallë kardiokirurgjikale. Ndërhyrja është realizuar duke riparuar valvulën e aortës me unazë sub koronare sipas metodës Lansac. Lajmin e ka ndarë kryeministri Edi Rama në Facebook, teksa e cilëson një rast suksesi.

“Rast Suksesi. Ekipi i mjekëve të Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT ka finalizuar me sukses një ndërhyrje kardiokirurgjikale mjaft komplekse, nëpërmjet një metode shumë efikase: riparim i valvolës së Aortes me unazë sub koronare sipas metodës së Lansac. Ajo që e bën të rrallë është se kjo ndërhyrje kardiokirurgjikale është realizuar për herë të parë në Shqipëri”, shkruan kryeministri Rama.

Mjeku Klodian Krakulli thekson se kjo teknikë inovatore është realizuar në katër pacientë dhe rezultatet deri më tani kanë qenë të mrekullueshme. Ndërsa mjeku Altin Veshti shtoi se kjo teknikë bën që pacienti të ketë valvulën e vet, të qëndrojë më pak në spital si edhe ul gjithashtu edhe koston e ndërhyrjes.

“Valvula e aortës është një kirurgji sfiduese sepse nga vetë anatomia valvula e aortës është më komplekse. Neve kemi realizuar një teknikë inovative që quhet riparimi i valvulës së aortës sipas teknikës së rimodelimit, e përforcuar me një unazë nënvalvulare. Teknika operatore është sfiduese por për fat të mirë ne kemi tentuar ta realizojmë këtë teknikë në 4 pacientë dhe deri tani rezultatet i kemi pasur të mrekullueshme,” theksoi doktori Klodian Krakulli.

“Kjo shkurton ditëqëndrimin e pacientit, kursen vendosjen e një valvule mekanike në pacientët e rinj dhe ul kostot e ndërhyrjes dhe acienti bën jetë normale me valvulën e vet. Kjo është diçka shumë e re që bëhet për herë të parë në kardiokirurgjinë shqiptare dhe ne do ta vazhdojmë përsëri këtë metodë që pacientët e rinj të kenë valvulat e tyre dhe të mos përdorin valvula mekanike ose biologjike“, u shpreh mjeku Altin Veshti.



Skip to toolbar