Jeffrey Epstein u mbyt, dhe nuk u var në qelinë e tij të burgut në Nju Jork. Kjo sipas një mjeku të pranishëm në autopsinë e tij. Dr. Michael Baden ka kërkuar që shkaku i vdekjes së pedofilit të rihetohet, pothuajse 7 vjet pasi ai u gjet i pajetë në Qendrën Korrektuese Metropolitan më 10 gusht 2019.
Ai nuk është i bindur nga përfundimi i Zyrës së Mjekut Ligjor të Nju Jorkut se milioneri amerikan i mori jetën vetes teksa priste gjyqin ku akuzohej për trafikim seksual.
“Mendimi im është se vdekja e tij ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga presioni i mbytjes dhe jo nga varja” – thotë patologu për “The Telegraph”, i cili u punësua nga të afërmit e financuesit.“Duke pasur parasysh të gjitha informacionet që janë tani në dispozicion, janë të nevojshme hetime të mëtejshme mbi shkakun dhe mënyrën e vdekjes” – thotë ai.
Mjeku nuk e kreu vetë autopsinë, por ai ishte i pranishëm gjatë ekzaminimit dhe u angazhua si vëzhgues në emër të familjes së Epstein.
“Në kohën kur u krye autopsia nga mjeku ligjor, të dy ramë dakord që, në bazë të raportit të autopsisë dhe informacionit në dispozicion, nevojiteshin më shumë informacione për të përcaktuar shkakun dhe mënyrën e vdekjes”, – tha Dr. Baden.
