Mori telefonatë për bombë. Gjyqtari nën hetim, liroi “të fortin e Tiranës”

AKTUALITET


Markelian Kuqo është gjyqtari i gjykatës së Korçës i cili ka marrë të martën një telefonatë për bombë në makinën e tij duke ngritur në këmbë policinë në qytetin e Korçës. Emri i këtij gjyqtari u lakua disa kohë më herët për shkak të një vendimi për lirimin nga burgu të atij që cilësohet si “i forti i Tiranës”, Gerd Gjinerari, apo i njohur ndryshe si Gerd Gjenerali, i akuzuar për vrasjen e Naim Zyberit në një spital në Milano në vitin 1997.

Kjo solli edhe reagimin e ministres së Drejtësisë e cila e kallëzoi penalisht gjyqtarin e tani është në hetim.

Atë kohë, ministrja e Drejtësisë në një konferencë për mediat tha se vendimi i dhënë nga gjyqtari Kuqo është marrë në kundërshtim me kriteret ligjore. “Nga hetimi paraprak që Ministria e Drejtësisë kreu, rezulton se vendimi pavarësisht se nuk është ende vendim i formës së prerë, është konstatuar se është dhënë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e Kodit Penal për dhënien e një vendimi lirimi me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit, duke kërkuar inicimin e procedimit disiplinor për gjyqtarin Markelian Kuqo.

Procesi i vetingut për pastrimin nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar po vijon, por paralelisht për të gjitha rastet me vendimmarrje skandaloze nga gjyqësori do të denoncohen dhe do të ndiqen të gjitha mjetet ligjore për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e këtyre rasteve”, është shprehur ministrja Gjonaj pak kohë më herët, e cila tha gjithashtu se drejtori i burgut të Drenovës dhe dy vartës së tij janë kallëzuar në prokurori për këtë rast. Deri në zbardhjen e ngjarjes këta zyrtare janë të pezulluar nga detyra.



Skip to toolbar