Shtetet e Bashkuara mbeten më të vendosura se kurrë për të mbrojtur Izraelin nga çdo kërcënim i mundshëm që ai po merr gjatë ditëve të fundit, për një hakmarrje nga ana e Iranit dhe grupimet e tjera të mbështetura prej tij në lidhje me vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh gjatë javës së kaluar.
Si pjesë e përpjekjeve të Pentagonit për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e mundshme dhe për të mbrojtur trupat amerikane, një duzinë avionësh luftarakë F/A-18 nga aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt janë drejtuar në një bazë ushtarake në Lindjen e Mesme.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan, gjithashtu një aeroplan vëzhgimi E-2D Hawkeye u ngrit nga aeroplanmbajtësja në Gjirin e Omanit.
Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dërgoi një mesazh për liderin e sapozgjedhur të Hamasit, Sinëar, i cili tashmë do të zëvendësojë në vendin e lënë bosh, Ismail Haniyeh.
Blinken deklaroi se tashmë Sinwar ka në dorë të vendosë nëse do të ketë një armëpushim mes palëve luftuese në këtë konflikt apo jo.
Kryediplomati amerikan, mes të tjerash ftoi Izraelin dhe Iranin që të shmangin përshkallëzimin e konfliktit që mund të ketë pasoja katastrofike për rajonin dhe më gjerë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes: SHBA nuk do të tolerojë sulme ndaj trupave të saj në Lindjen e Mesme
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin deklaroi dje se SHBA “nuk do të tolerojë” sulme kundër forcave të saj të dislokuara në Lindjen e Mesme, në sfondin e rritjes së madhe të tensionit midis Izraelit dhe Iranit. Deklarata e tij vjen një ditë pas një sulmi me raketa në një bazë ajrore në Irak që plagosi shtatë amerikanë.
“Mos bëni gabim, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sulme ndaj trupave tona në rajon,” tha Austin, një ditë pas një sulmi me raketa në një bazë ajrore në Irak që plagosi shtatë amerikanë.
Kujtojmë se pas vrasjes nga ana e ushtrisë izraelite të kreut politik të Hamasit, tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur. Të gjitha palët e përfshira në konflikt kërcënojnë me hakmarrje, ndërkohë që SHBA iu ka bërë thirrje palëve që të vetëpërmbahen dhe mos të thellojnë më tej konfliktin.