Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Kuvendi, në seancën për shkarkimin e Metës, se ai nuk duhet ndaluar në qorrmarshimin e tij të trishtueshëm të historisë politike, ndërsa theksoi se me veprimet e kryera ia ka bërë më të lehtë mazhorancës qëndrimin për të. Madje, në fjalën e Ramës nuk ka munguar ironia për Presidentin, duke deklaruar se çdo kush ka pyetur veten mos ai ka ikur nga mendtë, ndërsa e ka krahasuar me personazhin e Dostojevskit, që gënjen veten, duke gënjyer të tjerët”.
“Kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon – thotë Napoleon Bonaparti. Por sot nuk jemi mbledhur këtu të ndalojmë kundërshtarin tonë. Si kundërshtar i kësaj shumice qeverisëse Meta nuk duhet ndaluar në qorrmarshimin e tij të trishtueshëm të historisë politike. Politikisht ai na e bën më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, sepse njerëzia e shohin lakuriq të vërtetën e armiqësisë së Metës kundër shumicës, nga dëshpërimi prej disfatës të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve, që synonte pengimin e reformës në drejtësi dhe çeljen e negociatave për anëtarësi”, deklaroi Rama.
Po ashtu, kryeministri u ndal të komentonte raportin paraprak të OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 30 qershorit, ku theksoi se mungesa e gjerë e besimit u shkaktua nga ndërhyrja e dhunshme e presidentit Ilir Meta me antidekretin e tij në mes të procesit zgjedhor, i cili iu drejtua ndërkombëtarëve se ai nuk ishte i racës së Gruevskit, por i racës së Mic Sokolit e Avni Rustemit.
“Ata thonë se raporti paraprak i OSBE ka konfirmuar pozicionet e opozitës protestuese dhe presidentit. Por në fakt ai ka evidentuar një proces krejt anormal për shkak të shkeljes së kushtetutës nga ana e presidentit. Mungesa e gjerë e besimit të publikuar është një fakt i pakontestueshëm, por është fakt se ka ardhur për shkak të ndërhyrjes së Ilir Metës në proces me anti dekretin e tij në proces. Ai shantazh mpiu për një moment edhe vetë strukturat tona, lëre më zgjedhësin. Di mund të ruhej besimi pas provokimit të Ilir Metës. Politizimi i komisioneve është një fat i njohur botërisht. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Ne do depolitizojmë administratën zgjedhore. OSBE ka thënë se ka pasur probleme me verifikimin e adresave Por raporti thotë se në masë të madhe se listat e zgjedhësve u hoqën nga bashkitë e opozitës nga mes të procesit zgjedhor. Ata vërshuar në mbrojtje te idesë revolucionare imagjinare të presidentit”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se Meta nuk është thjesht një kundërshtar i qeverisë, por ai i ka hapur luftë edhe Kuvendit të Shqipërisë, duke u bërë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia, ndërsa ironizoi deklaratat e tij në konferencë për mediat, kur Meta tha se gati të përballet me testim mendor.
“Si mund të ketë Shqipëria e sotme një kryetar shteti, që në konferencë për shtyp se është gati të përballet me testin mendor. Askush nuk ka mbetur pa pyetur veten se mos ky njeri është i ikur nga mendtë. Sëmundja e vërtetë është ajo e atij personazhit të Dostojevskit, që gënjen veten për të gënjyer të tjerët. Vjen një pikë që shkakton çoroditje ekstreme. Por nëse Ilir Meta ia lejon veten të ngatërrojë dynjanë, që shkon në Tropojë dhe i duket sikur kalon nga burgu i Spaçit, ky parlament s`mund t’ia lejoj dot vetes mbylljen e syve përballë këtij destabiliteti politik shoqëror”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, Ilir Meta e ka shkelur kushtetutën më shumë se sa njëherë. Rama theksoi se ai ka kërkuar destabilizimin e qeverisë dhe të vendit, duke kthyer mbrapsht dekretimin e ministrave, ligjeve, apo duke e quajtur parlamentin ilegjitim, apo duke kërcënuar e duke lënë të kuptohet se mund ta shpërndajë fare. “Këtë herë Ilir Meta ka tejkaluar edhe veten bashkë me cakun tonë për ta duruar. Këtë herë ai ka luajtur deri në fund me zjarrin dhe ka bërë deri në fund gjithçka, që plani për zjarrvënien e Shqipërisë të mos dështonte. Ilir Meta ndërhyri brutalisht në mes të zgjedhjeve, për të ushqyer zjarrin në fikje të protestave të dëshpërimit të verbër opozitar. Ai frymëzoi aktin e vandalizmit ndaj infrastrukturës zgjedhore. Ai u kthye nga presidenti problematik i Shqipërisë në tribunin haxhi qamil të zgjedhjeve. Shkarkimi nga detyra të këtij personazhi, është një lëvizje me detyrim përcaktim i këtij kuvendi. Dhe është një detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin përpara kushtetutës. Ai mund të shkarkohet vetëm pasi Komisioni Hetimor të kryejë dëshmitë përkatëse dhe raportimin përpara kuvendit të shkeljeve të kushtetutës. Ndryshe nga Ilir Meta, ne kemi zgjedhur forcën e shembullit demokratik. Krenar dhe të palëkundur ne do të respektojmë edhe në këtë rast kushtetutën, ligjin, shtetin”, deklaroi Rama. Në fund, Rama kërkoi nga të gjithë deputetët që të votojnë ngritjen e Komisionit Hetimor.