Pas alarmit të rremë të shpërndarë mbrëmjen e së dielës nga rrjetet sociale por edhe nga disa portale, kanë reaguar të hënën sizmiologët shqiptarë, Rrapo Ormeni dhe Llambro Duni. Që të dy thonë se rreziku ka kaluar dhe se lëkundjet e tjera të tokës sa vijnë e shuhen dhe nuk sjellin dëme. Ndërsa këshilla e tyre është që të shmangen shkallët dhe ashensorët dhe gjëja më e mirë që mund të bëjnë është të futen poshtë një tavoline të fortë.
“Nuk kemi çfarë bëjmë, nëse godina shembet. Nëse godina i reziston tërmetit është të evitojmë ashensorin, nuk është e përshtatshme as të marrim shkallët. Duhet të ruajmë qetësinë, të fikim gazin, të marrim fëmijët me vete, të ulemi poshtë një tavoline me këmbë të forta, me qëllim që të shmangim rrëzimin e objekteve. Nuk duhet të përfshihemi nga paniku”, është shprehur sizmologu Llambro Duni.
Ata kanë theksuar dhe njëherë se rreziku për tërmet të fuqishëm ka kaluar.
“Ne mund të flasim për zonën ku ka rënë tërmeti, jo për zonat e tjera. Është një goditje kryesore që shoqërohet me pas goditje që vijnë duke u zvogëluar. Në momentin që bie goditja kryesore çlirohet pjesa më e madhe energjisë dhe pjesa e vogël që ngelet çlirohet me goditje të vogla.
Nuk duhet të ketë frikë askush, janë normale, nuk shkaktojnë asnjë dëm, nuk duhet të krijojnë asnjë panik. Kështu ka ndodhur edhe me tërmetin në Korçë, që pas goditjes kryesore kishte të tjera të vogla pa efekt derisa u vendos ekuilibri. Nuk ka vend që të krijohet paniku, pasi shkencërisht nuk mund të parashikohet tërmeti”, është shprehur për Report TV sizmologu Ormeni.
Edhe sizmologu Llambro Duni ka thënë të njejtën gjë, ndërsa ka theksuar se tërmetet nuk parashikohen.
“Është për të ardhur keq, që lajme të tilla dalin në media. Nuk është hera e parë, gjëja e parë që duhet të bëjë secili është t’i drejtohet institucioneve. Është thënë shumë herë që këto dukuri natyrore nuk parashikohen dhe kjo është e verifikueshme. Në çdo institucion në botë që ata të drejtohen do të marrin të njëjtën përgjigje, që këto dukuri nuk parashikohen”, është shprehur Duni për News 24.
Duke sqaruar edhe njëherë ndryshimin mes magnitudës dhe intensitetit të tërmetit, sizmologu Duni deklaroi se Shqipëria është një ndër vendet më sizmike dhe i rrezikuar nga tërmetet, ndaj dhe sipas tij, duhen marrë masa të rrepta për përmirësimin e procesit të ndërtimit.
“Jemi pas Greqisë, Turqisë dhe Italisë. Jemi nga vendet më sizmike. Rreziku është gjithmonë i pranishëm. Dukuria natyrore ka tekat e veta. Duhet të marrim masa, të përmirësojmë cilësinë e ndërtimit. Problemi me tërmetet është te struktura, ne duhet të ndërtojmë mirë. Edhe nëse ndodh tërmeti, mos të ndodhë gjë, se tërmeti nuk parandalohet, edhe nëse parashikohen. Duhet një monitorim i rreptë i gjithë procesit të ndërtimit”, tha Duni.