Ekipet e moshave të kombëtares së futbollit, po përgatiten për ndeshjet e radhës kualifikuese. Të martën dolën në konferencë për mediat, lojtarët e grupmoshës U-19 dhe U-17. Të besuarit e Nevil Dede, kuqezinjtë e U-19 Ernest Muçi dhe Arlindo Rrapaj u shprehën optimistë për takimet e radhës ndaj Belgjikës, Greqisë dhe Islandës, duke pretenduar se do të luajën për kualifikim.
“Mundësitë i kemi, por vetëm duke dhënë 100% çdo lojtar dhe duke i marrë ndeshjet 1 nga 1 dhe me përqendrim mund të arrijmë kualifikimin. Objektivi im personal është kualifikimi në këtë turne dhe të shikoj për Kombëtaren U-21 dhe Kombëtaren A. Në të ardhmen dua të shitem në një skuadër jashtë Shqipërie për të provuar veten”, u shpreh lojtari i Tiranës, Ernest Muçi.
Ndërkohë, Arinaldo Rrapaj në fjalën e tij u shpreh: “Unë mendoj se jemi gati, kemi një skuadër të fortë. Besoj se në Belgjikë do të kemi ndeshje të forta sepse edhe kundërshtarët janë të mirë por unë besoj se do të japim maksimumin dhe shpresojmë për paraqitje pozitive. Mendoj se do të kualifikohemi, besimin e kemi dhe po stërvitemi fort për të arritur këtë synim”, ka përfunduar mesfushori Flamurtarit.
Shqipëria e U-17, e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka filluar përgatitjet në prag të turneut kualifikues i cili do të zhvillohet në Portugali. Kuqezinjtë në këtë turne që zhvillohet nga data 13 deri në 19 nëntor do të luajnë ndaj vendasve të Portugalisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Në prag të ndeshjeve kualifikuese, dolën në konferencë për shtyp kapiteni Mitaj dhe Fejzulla.
Mario Mitaj shprehet se skuadra ka element cilësorë në përbërje dhe shfaqet optimist. “Situata është shumë e mirë besoj se jemi mirë dhe duam të vazhdojmë kështu. Çdo ditë kemi dy stërvitje dhe shkojmë shumë mirë. Është turneu më i rëndësishëm në këtë vit se kemi bërë shumë grumbullime vetëm për këtë moment. Normalisht ky është grumbullimi më i rëndësishëm”, ka përfunduar Mitaj.
Dejvi Fejzulla theksoi se e gjithë skuadra do të bëj maksimumin për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë. “Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme pasi është turneu i parë zyrtar që kemi, si fillim të prezantojmë Shqipërinë dhe më pas të shohim nivelin që kemi ne në krahasim me ekipet e tjera në Europë. Pasi kemi një grup të fortë ndaj Portugalisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë që janë shumë të mira. Asnjë ndeshje nuk është e thjeshtë, por asgjë nuk është e pamundur, ne do të luajmë për fitore dhe për të prezantuar Kombin tonë denjësisht”, përfundoi Fejzulla.