Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, po hetohet për nxitje të rebelimit, pasi akuzoi ushtrinë ruse për një sulm vdekjeprurës me raketa kundër trupave të tij.
Yevgeny Prigozhin tha se “e keqja” në udhëheqjen ushtarake duhet të ndalet dhe u zotua se “do të marshojë për drejtësi”.
Autoritetet e mohuan sulmin dhe kërkuan nga Prigozhini që t’i ndalojë “veprimet e paligjshme”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është njoftuar për situatën dhe po merren të gjitha masat e nevojshme, tha zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov.
Ngjarja paraqet një përshkallëzim befasues të grindjeve brenda Rusisë.
Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, tha se siguria në ndërtesat qeveritare, objektet e transportit dhe lokacionet e tjera të rëndësishme në Moskë, është rritur.
Prigozhin tha se trupat e tij kanë kaluar tashmë kufirin nga Ukraina në Rusi, në disa pika. REL-i nuk arriti t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Grupi Wagner është një organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.
Në muajt e fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.
Në një audio-mesazh, të postuar në platformën e mediave sociale Telegram, ai tha se “një numër i madh” i luftëtarëve të tij është vrarë në një sulm të ushtrisë ruse në një kamp të Wagnerit, ndonëse nuk nxori asnjë provë që do t’i mbështeste deklaratat e tij.
“Ata që vranë djemtë tanë dhe dhjetëra mijëra ushtarë rusë [në luftën në Ukrainë], do të ndëshkohen”, tha Prigozhin.
“Ju kërkoj të mos rezistoni. Kushdo që e bën këtë, do të konsiderohet kërcënim dhe do të shkatërrohet”, shtoi ai.
“Pushteti presidencial, Qeveria, policia dhe garda ruse do të punojnë si zakonisht. Ky nuk është një grushtshtet ushtarak, por një marshim për drejtësi”, tha Prigozhin.
Gjenerali Sergei Surovikin, zëvendësshef i forcave ruse në Ukrainë, i bëri thirrje atij që “t’i ndalojë autokolonat dhe t’i kthejë ato në bazat e tyre”.
“Ne jemi të një gjaku”, tha ai në një video-mesazh. “Nuk duhet të luani në duart e armikut, në një kohë të vështirë për vendin tonë”, u shpreh Surovikin.
Media shtetërore ruse raporton se FSB-ja – shërbimi i sigurisë në vend – ka hapur rast penal kundër Prigozhinit, duke e akuzuar atë për “thirrje për rebelim të armatosur” dhe përpjekje për fillimin e konfliktit të armatosur civil në Rusi.
FSB-ja raportohet se u ka bërë thirrje luftëtarëve të Wagnerit që të mos u binden urdhrave të Prigozhinit dhe të ndërmarrin hapa për ta arrestuar atë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha përmes një deklarate se të gjitha raportet e Prigozhinit – të përhapura në mediat sociale – për sulmet ruse në kampet e Wagnerit, “nuk janë të vërteta”.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax, Kremlini tha gjithashtu se “po merren masat e nevojshme”.
Shtëpia e Bardhë lëshoi, po ashtu, një deklaratë të shkurtër për zhvillimet në Rusi.
“Ne po monitorojmë situatën dhe do të konsultohemi me aleatët dhe partnerët për këto zhvillime”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adam Hodge.
Prigozhin ka qenë dikur aleat i Putinit. Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur grupin e tij, Wagner, organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.