Vendi ynë, prej mbrëmjes së djeshme, është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, shoqëruar edhe me erëra të forta. Për menaxhimin e situatës në terren janë angazhuar me kapacitete të plota të gjitha strukturat të cilat janë nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
🛣AKSET RRUGORE Intensiteti i lartë i reshjve të dëborës ka krijuar vështirësi në disa prej akseve rrugore. Në Rrugën e Arbrit po punojnë 5 borëpastruese. Në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim.
Edhe në rrugën e Kombit, pavarësisht reshjeve të dëborës, vijon qarkullimi i automjeteve. Në segmented Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura.
Në akset Vau Dejës-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore. Po punohet me 4 borëpastruese. Qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, veçanërisht në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi era e fortë përhap dëborën nga bankina në rrugë. Edhe në akset Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre. Qarkullimi vijon normalisht. Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe pajisja me zinxhirë në të gjitha zonat ku janë regjistruar reshje dëbore.
⚡️FURNZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
Mbi 1500 punonjës janë angazhuar në terren në të gjithë vendin nga ana e OSSH për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në një kohë sa më të shpejtë për çdo problematikë. Prioritet mbetet furnizimi me energji elektrike i objekteve të rëndësisë së veçantë. Si pasojë e motit janë 37 fidera jashtë pune. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit, ku stakimi i energjisë ka ardhur si pasojë e këputjes së përcjellësave, thyerjes së izolatorëve apo dëmtimi i kabllove. Defektet më së shumti janë evidentuar në zonat e thella rurale ku linjat janë ajrore. Me gjithë vështirësitë e motit po vijon puna për riparimin e tyre. Gjithashtu, ka pësuar defekt edhe një prej fiderave të nënstacionit Lezhë, i cili furnizon me energji elektrike Hidrovorin Gocaj dhe Fideri 7 N/St Lezhë që furnizon me energji elektrike hidrovorin Grykëzezë. Të gjitha linjat 35Kv, si dhe fiderat e tjerë dalës 20/10/6 KV që furnizojnë hidrovorët janë në skemë normale të furnizimit me energji elektrike. Prej mëngjesit të sotëm, si pasojë e erës së fortë, janë stakuar linja 400 kV Tirana 2 – Podgoricë dhe Tirana 2-Koman, pa ndikim tek konsumatorët. Situata në kaskadën e Drinit paraqitet normale.
💧FURNIZIMI ME UJË TË PIJSHËM
Situata e furnizimit me ujë paraqitet normale dhe pa problematika. Edhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura janë në funksion të plotë dhe nuk janë raportuar problematika. Të gjitha ekipet e shoqërive rajonale UK janë në gatishmëri.
⚓️PORTET DHE ✈️AEROPORTET
Në Portin e Durrësit situata oparaqitet normale. Tragetet kanë mbërritur në kohë dhe në terminalet portuale vijon pa ndërprerje përpunimi i mallrave. Edhe në Portin e Vlorës nuk raportohen problematika. Lëvizja e tragetit ka vijuar sipas orarit të parashikuar. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka vijuar punën normalisht pa vonesa apo anulime. Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk janë evidentuar problematika.