Moti i keq paralizon Greqinë/ Stuhi dhe përmbytje në ishuj, erërat dhe dallgët shkaktuan dëme

AKTUALITET


Greqia ka përjetuar një 24 orësh të vështirë si pasojë e motit të keq “Erminio”, i cili goditi disa rajone të vendit me intensitet të lartë. Më të prekur ishin ishujt e Egjeut, përfshirë Rodosin dhe disa ishuj të tjerë ku u regjistruan erëra të forta, reshje intensive dhe përmbytje. Në Rodos, erërat arritën deri në 110 km/h, ndërsa dallgët në port tejkaluan 3 metra, duke shkaktuar dëme materiale dhe përmbytje në disa zona.

Situata detyroi autoritetet të kufizojnë lëvizjet e qytetarëve, ndërsa në aeroportin “Diagoras” u anuluan dhjetëra fluturime dhe disa avionë u devijuan drejt destinacioneve të tjera.

Po ashtu, u pezullua qarkullimi detar për shkak të kushteve të rrezikshme. Me vendim të autoriteteve rajonale, të gjitha shkollat u mbyllën për arsye sigurie.

Probleme të shumta u raportuan edhe në Poros, ku përmbytjet rrëmbyen automjete dhe dëmtuan infrastrukturën, ndërsa në ishuj të tjerë si Sikinos, Hidra dhe Kimolos u përmbytën rrugë dhe zona bregdetare. Sipas raportimeve, moti i keq shkaktoi edhe fundosjen e një anijeje në portin e Kosit.



Skip to toolbar