Reshjet e dendura të shiut në 24 orët e fundit kanë bërë që Përroi i Çullos në Gjirokastër të dalë nga shtrati. Mësohet se dalja nga shtrati e përrroit ka bllokuar unazën e qytetit që lidh lagjen Granicë me lagjen Gërhot në hyrje të qytetit. Siç shihet në pamjet e siguruara, rruga është mbushur me inerte.
Ndërsa situata paraqitet ndryshe në veri të vendit ku ka pasur reshje të dendura dëbore në qarkun e Kukësit. Lartësia e borës në Shishtavec ka shkuar në 15 cm, në Valbonë 20 cm dhe në Qafë Prush të Hasit 15 cm.
Deri më tani nuk raportohet për probleme në rrugët nacionale dhe janë të gjitha të kalueshme, ndërsa vijon puna për pastrimin e dëborës, hedhjen e kripës dhe largimin e inerteve të rëna në disa segmente.
Po ashtu edhe rrugët rurale janë të qarkullueshme, ndërsa problem për mirëmbajtje ngelet segmenti rrugor Fierz-Lekbibaj. Nuk raportohet për probleme në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm dhe po ashtu është nën monitorim gjendja e rezervuarve në të gjithë qarkun.