45 vjeçari Mikel Ndoi që u arrestua dje pasi plagosi vajzën e tij me thikë dhe një person tjetër, ka deklaruar në polici se ka qenë i dehur dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Ai ka shtuar se kishte si qëllim që të ribashkohej me familjen, por vajza e tij ishte kundër.
“Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit”.
Kështu e ka justifikuar sulmin me thikë ndaj vajzës së tij dhe kolegut të saj të punës, ngjarje e ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Durrësit, në lagjen 12.
“Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për ti thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment mu errësuan sytë, i thash hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që nderhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Me pas ika dhe u fsheva diku afër repartit zjarrifikës. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shume keq“, ka deklaruar Mikel Ndoi në polici.
